Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka njoftuar se nga e premtja në këtë klinikë janë paraqitur pacientë me simptoma të dyshuara të helmimit nga ushqimi.
Sipas njoftimit, “pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore me ankesa si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diare. Sipas anamnezës së marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit”.
“Nga data 10.07.2026 deri më 13.07.2026, në Klinikën Infektive ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 70 pacientë. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm. Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN), në përputhje me procedurat në fuqi”, thuhet në njoftimin në faqen e QKUK-së në Facebook.
Klinika Infektive tha se pacientët e shtruar në spital janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm.
“Aktualisht, gjendja klinike e pacientëve vazhdon të kërkojë trajtim dhe monitorim të vazhdueshëm”, thuhet në fund të njoftimit

