Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka folur për të ardhmen e Raphinhës, duke bërë të qartë se klubi katalunas nuk mendon ta largojë sulmuesin brazilian gjatë kësaj vere.
E ardhmja e Raphinhës ishte vënë në pikëpyetje pas raportimeve për interesim nga klubet e Ligës Saudite, veçanërisht nga Al-Hilal, që thuhet se po përgatit një ofertë të madhe për 29-vjeçarin.
Këto spekulime janë shtuar pas përforcimeve të Barcelonës në repartin ofensiv, me klubin që ka siguruar transferimin e Karim Adeyemit nga Borussia Dortmundi, ndërsa më herët kishte konfirmuar edhe afrimin e Anthony Gordon nga Neëcastle United.
Megjithatë, Laporta ka insistuar se ardhja e lojtarëve të rinj nuk nënkupton largimin e Raphinhës, të cilin e konsideron një futbollist shumë të rëndësishëm për skuadrën e Hansi Flickut.
“Raphinha do të qëndrojë. Nuk kemi asnjë interes që ai të largohet nga Barcelona. Ai është një lojtar kyç për ne. Me Gordonin dhe Adeyemin po e forcojmë sulmin, por kjo nuk do të thotë se do ta lejojmë Raphinhën të largohet, pasi ai është shumë i rëndësishëm për klubin”, ka thënë Laporta.
Raphinha zhvilloi sezonin më të mirë në karrierën e tij te Barcelona në edicionin 2024/25, kur realizoi 34 gola dhe dhuroi 26 asistime në 57 paraqitje në të gjitha garat.
Barcelona po punon për ndërtimin e një skuadre të aftë për të mbrojtur titullin, ndërsa braziliani mbetet pjesë e planeve të klubit për sezonin e ardhshëm

