“Marrje e ryshfetit”, aktakuzë për gardianin e Dubravës

by Nexhat

Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet D.Q., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, D.Q., në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria.

banner

“I pandehuri D.Q., në cilësinë e personit zyrtar, gjatë periudhës qershor-gusht 2025, në tri raste të ndara, dyshohet se ka pranuar në mënyrë të tërthortë përfitime në të holla nga një person i privuar nga liria, me qëllim që të vepronte në përputhje me detyrën e tij zyrtare, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shuma të ndryshme parash”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të marrjes së ryshfetit, të paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që D.Q. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë.

Përveç dënimit penal, Prokuroria ka kërkuar edhe shqiptimin e një dënimi plotësues.

“Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës, përveç shqiptimit të dënimit penal, edhe shqiptimin e dënimit plotësues ‘ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik’, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Aktakuza tani pritet të shqyrtohet nga gjykata kompetente, e cila do të vendosë për hapat e mëtejmë të procedurës penale. Në këtë fazë të procedurës, i pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy