Qytetarja thotë se u përball me presion pas një postimi në Fb për kushtet në Pediatri në QKUK

by Nexhat

Anëtarja e shoqërisë civile, Aulonë Mehmeti, e cila dje publikoi një shkrim për kushtet në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka reaguar sërish duke thënë se pas postimit të saj ka ndier presion nga zyrtarë të institucionit. Tani, ajo thotë se “në vend të reflektimit, kam filluar të ndiej presion për atë që kam shkruar”.

Ajo shkruan se gjatë natës dhe mëngjesit është vizituar në dhomën ku po qëndron me djalin e saj dhe i është kërkuar që t’i verifikojë pretendimet e paraqitura në shkrimin e saj.

banner

“Mbrëmë, rreth ores 23:30 me kanë vizituar në dhomën ku po qëndroj me djalin tim dhe më është kërkuar t’i verifikoje ato që kam shkruar në status. Sot, rreth orës 10:30 me kanë vizituar prap, me c’rast me është thënë se ato qe kam shkruar jane te pasakta dhe me është kërkuar edhe raport lidhur me rastin (dhe atë, me gisht drejtuar duke me thene se duhet ta shkruaj deri në ora 11:00)”, shkroi ajo në një postim në Facebook.

Mehmeti tha se nuk e refuzon adresimin e ankesës përmes rrugëve institucionale, por se aktualisht prioritet për të mbetet kujdesi ndaj djalit të saj, i cili ende po trajtohet në Pediatri.

“Dua të sqaroj se nuk kam refuzuar dhe nuk refuzoj ta adresoj ankesën time përmes rrugëve institucionale. Trajtimi i djalit tim ende nuk ka përfunduar dhe, në këtë moment, prioriteti im është të kujdesem për të. Sapo të përfundojë trajtimi, do t’i ndjek edhe procedurat përkatëse. Por, ndërkohë, fotografitë janë publike. Ato e dëshmojnë gjendjen ndoshta më mirë se çfarëdo ankese që mund të shkruaj unë. Për të filluar adresimin e një dysheku të njollosur, mungesës së sapunit apo kushteve elementare, nuk duhet pritur ankesa e një nëne me fëmijën e shtrirë në spital. Mjafton të shihet ajo që shihet me sy”, shkroi ajo.

Ajo tha se nuk beson se duhet të ndjehet nën presion për shkak të kritikave publike ndaj kushteve të përjetuara gjatë qëndrimit në spital.

“Dhe kjo, në fund, nuk është çështje e një individi. Është dështim i yni si shoqëri nëse mësohemi me të papranueshmen dhe kemi frikë të kërkojmë më mirë. Sepse, herët a vonë, të gjithë mund të detyrohemi t’i sjellim fëmijët tanë këtu. Duhet ta duam dhe ta mbështesim shëndetësinë publike. Por pikërisht sepse është e jona, duhet edhe të kërkojmë llogari për të. Pa frikë”, shkroi ajo.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy