Një 46-vjeçar mbeti i plagosur nga pesë plumba mbrëmjen e së hënës në qytetin e Pejës.
I dyshuari, 29-vjeçar u vetëdorëzua në polici pas disa orësh arrati, ndërsa gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi ka sjellë detajet më të reja rreth kësaj ngjarje,
“Mbrëmë rreth orës 22:36 minuta ndodhi një ngjarje ku një person mbeti i plagosur pesë herë, nga një i dyshuar 29-vjeçar. I plagosuri, 46-vjeçar, menjëherë ka marrë trajtimet e nevojshme, njëherë në Spitalin e Pejës e më pas është transferuar në QKUK”, tha Gashi për emisionin “Kosova Today”.
Ajo bëri të ditur se në drejtim të viktimës u qëllua me plot nëntë plumba, por që fatmirësisht ai i shpëtoi tentativës për vrasje.
“Siç mëson Klan Kosova, i dyshuari ka shtënë nëntë herë për ta vrarë viktimën, por i njëjti ka shpëtuar dhe gjendet jashtë rrezikut për jetën. Por si ndodhi ngjarja, nga burimet e Klan Kosova, dhe bisedat në këtë qytet, thuhet se sherrin e nisi vëllai i viktimës, ku më pas viktima ka ardhur dhe ka goditur të dyshuarin. i dyshuari nuk e ka kapur direkt armën në vendin e ngjarjes, ai ka shkuar në shtëpi, ka marr armën dhe është kthyer te parkingu dhe ka shtënë në drejtim të viktimës”, tha gazetarja në Klan Kosova.

