Pas reagimeve të ashpra që shkaktoi deklarata e saj se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta “spastronte etnikisht Kosovën”, ministrja serbe Snezhana Paunoviq është përpjekur të arsyetohet, ndonëse deklarata e saj është e regjistruar në video.
Në një reagim me shkrim, pas kërkesave për dorëheqje nga opozita dhe organizata joqeveritare, Paunoviq pretendoi se fjalët e saj janë keqinterpretuar dhe se është bërë “propagandë” kundër saj.
Megjithatë, ajo nuk u distancua nga qëndrimet e saj, përkundrazi deklaroi se nuk heq dorë nga politika e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviqi.
“Jam socialiste dhe nuk heq dorë nga politika e SPS-së. Serbia është shtëpia ime, ndërsa SPS është dhoma ime në atë shtëpi”, tha Paunoviq, duke shtuar se mbetet krenare për politikën e partisë së saj në vitet ’90.
Ajo i cilësoi reagimet si propagandë dhe tha se është e gatshme të debatojë për politikën e SPS-së dhe ngjarjet e viteve ’90. /Danas

