Analisti politik Belgzim Kamberi ka komentuar nismën për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke thënë se deri tani nuk është paraqitur një debat i qartë politik mbi arsyet e kësaj kërkese.
Kamberi, i ftuar në “Debat Plus” në Dukagjin, u shpreh se deri tani nuk ka dëgjuar argumente të mjaftueshme politike nga ata që po kërkojnë largimin e Abdixhikut nga drejtimi i partisë, duke vlerësuar se përplasjet e brendshme në LDK ndër vite kanë qenë më shumë të lidhura me figura dhe protagonistë sesa me dallime të qarta ideologjike apo konceptuale.
Kamberi, mes tjerash, u shpreh se nuk e di se kush do të mund ta zëvendësonte Abdixhikun në rast të shkarkimit të tij, duke thënë se deri tani nuk është bërë i njohur ndonjë emër konkret.
“Nuk po dëgjoj ndonjë debat politik për ata që po duan shkarkimin e kryetarit, nuk ka arsyetim se pse po e kërkojnë këtë – por kjo nuk është risi pasi beteja e brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës ndër vite nuk është se është kuptuar se ku janë dallimet e thella konceptuale, politike e të tjera. Më shumë po duket si luftë mes protagonistëve dhe personaliteteve. Për cfarë po kërkohet shkarkimi i Abdixhikut sot, a po kërkohet për shkak të rezultatit elektoral apo orientim të LDK-së në raport me partitë tjera, ende nuk dihet. Pikëpyetja kryesore është se kush do të vinte në vend të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi nuk po dimë për ndonjë emër të përveçëm”, u shpreh Kamberi

