Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallë aktgjykimin dënues ndaj Skender Krasniqit për vrasjen që ndodhi në Zllakuqan të Lipjanit.
Gjykata tha se i akuzuari “S.K. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 24 (njëzetekatër) vitesh, për shkak se ka kryer veprën penale të rikualifikuar në Vrasje si dhe veprën penale Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në njoftim, gjykata shtoi se të akuzuarit S.K., në dënimin e shqiptuar me burgim, i llogaritet edhe koha e kaluar nën masën e paraburgimit, ndërsa me vendim të veçantë i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.
“I akuzuari detyrohet që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën prej 200 (dyqind) euro, si dhe 50 (pesëdhjetë) euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit, të gjitha këto në afat prej 15 (pesëmbëdhjetë) ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Të dëmtuarit janë udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil, për realizimin e kërkesës pasurore – juridike”.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit, përfundoi gjykata.

