Nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga radhët e PDK-së, Besianë Musmurati, ka replikuar me asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal, duke mbrojtur punën dhe vizionin e PDK-së për kryeqytetin.
Përmes një videodeklarate të publikuar pas debatit, Musmurati tha se qytetarët e Prishtinës kanë mbështetur vizionin e PDK-së dhe se ky besim e obligon partinë të vazhdojë punën në shërbim të qytetit.
“Vizionin e PDK-së në Prishtinë e kanë përkrahur qytetarët e Prishtinës dhe besimi qytetar na ka veshur me obligim e dëshirë për shërbim në të mirë të qytetit,” tha ajo.
Duke iu kundërpërgjigjur kritikave të asamblistëve të LVV-së dhe PSD-së, Musmurati u shpreh se rezultati zgjedhor ka treguar qartë mbështetjen qytetare.
“I njëjti rezultat zgjedhor ua ka treguar vendin edhe Lëvizjes Vetëvendosje, edhe Partisë Socialdemokrate”, deklaroi ajo.
Nënkryetarja e Prishtinës theksoi se PDK-ja nuk do të tërhiqet nga angazhimi për zhvillimin e kryeqytetit.
“Nuk fshihemi dhe nuk zbrapsemi nga misioni ynë: çdo lagje të Prishtinës ta përmirësojmë e ta bëjmë më funksionale. Askush nuk mund të na ndalë që punët e mira të PDK-së në qytet t’i vazhdojmë”, përfundoi Musmurati.

