Fanella e veshur nga legjenda braziliane Pele në finalen e Kupës së Botës 1958 është shitur në ankand për 4.9 milionë dollarë, duke u bërë pjesa më e vlefshme e kujtimeve sportive e lidhur me ikonën e futbollit.
Fanella me numrin 10, të cilën Pele e veshi kur ishte vetëm 17 vjeç në triumfin e Brazilit ndaj Suedisë me rezultat 5-2 në finalen e Stokholmit, tërhoqi interes të madh gjatë ankandit të organizuar nga “Sotheby’s”.
Sipas shtëpisë së ankandeve, fanella mori 10 oferta nga më shumë se pesë blerës të ndryshëm dhe tashmë konsiderohet një nga objektet më të rralla të historisë së futbollit.
Megjithatë, ajo mbetet fanella e dytë më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë në ankand. Rekordin e mban fanella e Diego Maradonës nga Botërori 1986, e veshur në ndeshjen ndaj Anglisë, ku ai shënoi golin e famshëm “Dora e Zotit”, e cila u shit për 9.3 milionë dollarë në vitin 2022.
Pele shkëlqeu në finalen e vitit 1958 duke realizuar dy gola dhe mbetet ende futbollisti më i ri që ka shënuar në një finale të Kupës së Botës.
Fanella kishte dalë më parë në ankand në vitin 2004, kur ishte shitur për 70.505 paund (rreth 105 mijë dollarë), por vlera e saj është rritur ndjeshëm me kalimin e viteve për shkak të rëndësisë historike që mbart

