Zyrtari i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka për obligim që të sqarojë atë që Ramadani e quan zhvatje të buxhetit përgjatë vitit 2025.
Ai ka përmendur si rast renovimin që ka ndodhur në kulmin e objektit të IML-së, duke thënë se janë bërë tejkalime të kontratës.
“Në total, për vetëm tri pozicione, kontrata u fry nga 18,612 € në 50,360 €.Ministria e Drejtësisë u pajtua me këto gjetje dhe i nënshkroi, kështu Ministria ka pranuar zyrtarisht se ka fry kontrata deri në 326%!”, ka shkruar Ramadani.
Reagimi i plotë:
Para gjithçkaje tjetër, ish-Ministrja e Drejtësisë që nuk po e thirr Kuvendin, e ka për obligim t’ia sqarojë popullit dhe drejtësisë se si e zhvatën buxhetin në vitin 2025!
Fol… Sa po shkon graniti e knaufi?
Po po, zhvatje përmes “Tejkalimeve të Paramasave” dhe Fryrje Kontratash për 326%
Në Rinovimin e kulmit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), e që nuk u krye, ka pasur fryrje skandaloze të pozicioneve specifike të punës:
– Për furnizim me pllaka graniti, vlera e kontraktuar u rrit nga 10,020 € në 17,578 € (tejkalim prej 75%)!
– Për montim të knaufit, vlera e kontraktuar nga 6,000 € fluturon në 25,582 € (një tejkalim i tmerrshëm prej 326%)!
– Për rrjetin e internetit, vlera u rrit nga 2,592 € në 7,200 €.
Në total, për vetëm tri pozicione, kontrata u fry nga 18,612 € në 50,360 €.
Ministria e Drejtësisë u pajtua me këto gjetje dhe i nënshkroi, kështu Ministria ka pranuar zyrtarisht se ka fry kontrata deri në 326%!

