Deputetja e zgjedhur nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kritikuar vonesat në krijimin e institucioneve të reja, duke ia adresuar përgjegjësinë Lëvizjes Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve.
E ftuar në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Musliu ka thënë se situata aktuale politike është e paqartë dhe se vonesat e vazhdueshme, sipas saj, po e çojnë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Të them të drejtën jemi në një situatë shumë të palakmueshme edhe shumë të pakjartë çkado që të ndodhë për mua nuk është risi edhe nuk është befasi më jemi mësuar me sjellje jo serioze dhe me sjellje të papërgjegjshme të atyre që i kanë fituar zgjedhjet. Kështu që të gjitha gjasat po na çojnë drejt zgjedhjeve. Mënyra se si po e shtyjnë ose po i shtyn afatet e njëpasnjëshme, thjesht kjo flet shumë, vetë fakti që ne e kemi ditur se e kemi situatën para se me shkuar në zgjedhje”, ka deklaruar Musliu.
Ajo ka thënë se shtyrja e afateve njëra pas tjetrës tregon, sipas saj, mungesë vullneti për të funksionalizuar institucionet e vendit.
Musliu ka theksuar se procesi zgjedhor ka përfunduar, janë numëruar dhe rinumëruar votat, ndërsa rezultatet janë shpallur dhe certifikuar. Sipas saj, pas certifikimit të zgjedhjeve, Kuvendi është dashur të mblidhej sa më shpejt për të nisur punën.
Kemi shkuar në zgjedhje e fushata, janë kryer zgjedhjet, ka qenë afati i numërimit e i rinumërimit të votave dhe unë mendoj që në momentin që janë shpallë rezultatet dhe janë çertifikuar zgjedhjet është dashur në mënyrën sa më të shpejtë brenda 24 orëve ose me përjashtu afatin e ankesave edhe ne me u mbledh në kuvend, vetë fakti që edhe sot kur po bisedoj me ju është data 20 korrik dhe ne ende nuk kemi shkuar në asnjë seancë qoftë edhe me dhënë betimin si deputet, kjo flet shumë”, ka thënë ajo.

