Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë dhënë fjalët përfundimtare në rastin ndaj të akuzuarit për krime lufte, Milorad Gjokoviq, ku Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet me dënimin maksimal të paraparë me ligj,
Prokurori i rastit, Ilir Morina, tha se gjatë procesit gjyqësor është provuar përtej çdo dyshimi se Gjokoviq, i njohur me nofkën “Mici”, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe paramilitare serbe, ka marrë pjesë në kryerjen e vrasjeve në fshatin Ozdrim dhe fshatrat përreth më 7 maj 1999.
“Kjo çështje nuk flet për njerëzit e panjohur, për njeri-tjetrin, ajo flet për bashkëfshatarë për të pandehurin dhe viktimat. Ata ishin fqinj, i njihnin njëri-tjetrin, i njihnin shtëpitë e njëri-tjetrit. Por me 7 maj disa prej atyre që dikur ishin fqinj u bënë pjesë e një force të armatosur që solli vdekjen, vuajtjen dhe shkatërrimin. Prokuroria konsideron se është provuar përtej çdo dyshimi se i pandehuri, i njohur me nofkën Mici, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore paramilitare serbe ka marrë pjesë në kryerjen e vrasjeve në fshatin Ozdrim dhe fshatrave përreth më 7 maj 1999”, tha ai.
Morina tha se dëshmitë e administruara në rastin e vrasjes së Esat Morinës krijojnë, sipas tij, një zinxhir koherent provash për përgjegjësinë e pjesëtarëve të forcave serbe, pjesë e të cilave, sipas Prokurorisë, ishte edhe Gjokoviqi.
“Këto tri dëshmi të administruara në lidhje me vrasjen e Esat Morinës krijojnë një zinxhir të plotë dhe koherent të provuesve lidhur me vrasjen e Esat Morinës. Nëse k dëshmi analizohen së bashku me prova të tjera materiale, ato krijojnë një bazë të qëndrueshme për të përfunduar se vrasja e Esat Morinës ishte kryer nga pjesëtarët e forcave serbe, pjesë e të cilëve ishte edhe Milorad Gjokoviq. Ngjarja e dytë ka të bëjë me vrasjen e anëtarëve të familjes Krasniqi. Në lidhje me ngjarjen e dytë për të cilën prokuroria paraqet përgjegjësinë penale të pandehurit Milorad Gjokoviq”, tha ai.
Prokurori Morina përmendi edhe një dokument zyrtar, për të cilin tha se e vendos Gjokoviqin si pjesë të strukturave policore serbe.
“Ekziston një provë e rëndësishme, një dokument zyrtar, që e vendos Milorad Gjokoviq si pjesë të strukturave policore serbe. Lista e rezervistëve të rajonit të Pejës. Emri i Milorad Gjokoviq është i renditur në pozitën numër dy. Në kuptimin objektiv, nga deklaratat e dëshmitarëve rezulton se Agim Shala e identifikon Micin si person me rol drejtues në zonë. Abdullah Gashi e identifikon Micin së bashku me Momçilo Vukotiq, Ranko Vllahoviq dhe Adem Çatoviq si pjesë të strukturës policore që atë ditë po vepronin në Ozdrim. Qerim Elshani dhe pjesëtarë tjerë të Gash, e vendosin Micin së bashku me pjesëtarë tjerë policorë në ambientet ku po mbaheshin 40 civilë të arrestuar. Halim Gashi e vendos Micin së bashku me Momçilo Vukotiq afër trupit të viktimës Esad Morina. Nurije Krasniqi e vendos të pandehurin Milorad Gjokoviq në oborrin e shtëpisë së saj në momentin kur e godet”, tha ai.
Morina tha se viktimat dhe familjet e tyre kërkojnë drejtësi dhe jo hakmarrje.
“Viktimat dhe familjet e tyre nuk kërkojnë hakmarrje, ato kërkojnë drejtësi. Duke marrë parasysh provat, prokurori i propozon gjykatës që ta shpallë fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet, dhe ndaj tij të shqiptojë dënim maksimal sipas ligjit”, tha ai.
I dëmtuari dhe dëshmitari në këtë rast, Ferat Morina, tha se ia lë drejtësisë të vendosë për përgjegjësinë e të akuzuarit, ndërsa kërkoi edhe kompensim për dëmet e shkaktuara.
“E lë drejtësia si vendos. Kërkoj për vete kur kam qenë i zënë rob dhe vëllau që më është vra, kërkoj që të më paguhet demi dhe si i burgosur që kam qenë”, tha ai.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ai dyshohet se në fshatin Ozdrim të Pejës dhe në fshatra të tjerë rreth këtij regjioni kishte aplikuar masa të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe depërtimit të dhjetëra civilëve shqiptarë.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.
Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

