Opinionisti Dardan Sejdiu ka thënë se partitë opozitare po gabojnë në leximin që i bëjnë Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke vlerësuar se synimi i tyre nuk është të veprojnë brenda rendit aktual kushtetues, por ta ndryshojnë atë.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Sejdiu tha se opozita vazhdon ta analizojë situatën politike duke u nisur nga premisa se të gjitha partitë respektojnë të njëjtin konstrukt institucional dhe kushtetues.
“Dy vitet e fundit na tregojnë që nuk ka ndonjë rëndësi të fortë organizimi kushtetues, shoqëror, rendi politik, e të tjera e të tjera, të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje vepron në kuadër të një ideje të veten e që është një lloj tjetër organizimi shoqëror, një tjetër lloj organizimi kushtetues, një tjetër lloj organizimi i diskutimit politik”, tha Sejdiu.
Sipas tij, partitë opozitare duhet të kuptojnë se përballë nuk kanë një subjekt politik që e konsideron rendin aktual kushtetues si kornizë të pandryshueshme.
Sejdiu shkoi edhe më tej, duke thënë se, sipas tij, deputetët dhe ministrat janë vetëm instrumente për realizimin e një projekti më të gjerë politik.

