Një person, kalimtar rasti është plagosur në fshatin Kosuriq të Pejës, pas një përleshjeje ndërmjet dy të dyshuarve.
Sipas njoftimit të Policisë Rajonale të Pejës, rasti është raportuar më 21 korrik 2026 në Stacionin Policor në Pejë. Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë takuar viktimën, e cila ka deklaruar se, pas një përleshjeje fizike me një person, ky i fundit, së bashku me një të dyshuar tjetër, ka shtënë me armë zjarri.
Si pasojë e të shtënave, një kalimtar rasti ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Pejë.
Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë. Me urdhër të prokurorit të shtetit është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarve. Gjatë kontrollit janë sekuestruar një armë zjarri, një gëzhojë dhe një karikator.
Dy të dyshuarit janë arrestuar dhe intervistuar nga hetuesit policorë. Me vendim të prokurorit, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar.

