Një pasagjer shqiptar është kthyer në heroin e një ngjarjeje që mund të kishte përfunduar në tragjedi, pasi ndihmoi në shpëtimin e një burri që për pak u thith jashtë një avioni të Ryanair gjatë një fluturimi nga Selaniku drejt Memmingenit të Gjermanisë.
Njëmbëdhjetë ditë pas incidentit, 61-vjeçari Ljubisha Karovic rrëfeu për The Guardian momentet e tmerrit që përjetoi kur dritarja pranë sediljes së tij u shkatërrua pas humbjes së presionit në kabinë.
“Shpërthimi është ajo që mbaj mend. Është zhurma para kaosit, zhurma që e dëgjoj sa herë mbyll sytë për të fjetur,” tha ai.
Karovic ndodhej në ulësen pranë dritares kur u tërhoq jashtë avionit deri në pjesën e kraharorit dhe humbi ndjenjat. Ai mbijetoi falë rripit të sigurimit dhe reagimit të menjëhershëm të pasagjerëve.
Gruaja e tij, Svetlana Grkovic, tregoi se një pasagjer shqiptar luajti një rol vendimtar në shpëtimin e bashkëshortit.
“Një burrë, mendoj se ishte shqiptar, ishte i jashtëzakonshëm. Ai bëri gjithçka për ta tërhequr brenda dhe më pas u përpoq të mbyllte dritaren. Fillimisht me një çantë, që u thith jashtë, pastaj me një valixhe, e cila funksionoi. Do t’i jemi përjetësisht mirënjohës.”
Sipas saj, bashkëshorti i saj kishte mbetur “gjysmë brenda e gjysmë jashtë avionit” për rreth dy minuta, ndërsa ajo shpreson ta takojë një ditë shqiptarin për ta falënderuar personalisht.
Karovic pësoi dëmtime në kokë, qafë dhe krah, por thotë se ndihet me fat që është gjallë.
“Jam me fat. Ende më dhemb koka dhe qafa, por jam gjallë. Ndoshta më shpëtoi rripi i sigurimit. Ndoshta ishte fati. Besoj në Zot dhe e falënderoj çdo ditë.”/Euronews.al/

