Gërxhaliu: Mungesa e institucioneve po i kushton Kosovës miliona euro, pasojat do t’i paguajnë edhe gjeneratat e ardhshme

by Nexhat

Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se situata në Kosovë është alarmante në aspektin diplomatik, politik dhe ekonomik, duke vlerësuar se vendi është larg realitetit dhe se mungesa e institucioneve funksionale po i kushton shtrenjtë shtetit.

Ai tha se rruga drejt familjes evropiane kërkon institucione aktive, përkushtim dhe përmbushje të kritereve e standardeve.

banner

“Fondet nuk i jepen një shteti vetëm se ai shtet ka nevojë për ato mjete, por për t’i marrë ato mjete duhen reforma. Një shtet të ketë reforma institucionale duhet të ketë institucione stabile dhe kjo i ka munguar Kosovës. Kemi humbur miliona të shumtë dhe jemi në rrugë të mirë që t’i humbim edhe ato që janë në dispozicion. 60 milionë apo 120 milionë deri në fund të vitit janë një numër shumë i madh me kritere që duhet të plotësohen. Sepse në qoftë se nuk kemi parlament funksional, nuk kemi qeveri funksionale, si do të arrihen ato objektiva?”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij, Kosova është duke paguar dhe do ta paguajë edhe në të ardhmen një kosto oportune, pasi koha nuk kthehet, mundësitë për projekte nuk rishikohen dhe fondet do t’u destinohen vendeve të tjera.

“Kosova nuk e ka luksin dhe komoditetin e qeverisjes në heshtje, në pritje, sepse vërtetë Kosovës po i vidhet koha. Dhe në këtë drejtim, një shtet i varfër apo më i varfëri në Ballkanin Perëndimor të jetë anash mundësive për të shfrytëzuar me qindra miliona euro, është mëkati dhe dëmi më i madh që po i bëhet Kosovës sot. Në aspektin e pagesës kolaterale edhe gjeneratat që do të vijnë do ta paguajnë këtë arrogancë të pushtetit dhe mosfunksionimin e institucioneve në interes të shtetit dhe në interes të qytetarëve, sepse siç duket sot, dominante është vetëm lufta për pushtet dhe jo për shtet”, u shpreh ai.

Gërxhaliu tha se mungesa e institucioneve është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës në këtë dinamikë gjeostrategjike në mbarë globin.

“Të jesh në këtë situatë ku vendet e rajonit dhe ato evropiane luftojnë për ripozicionim, për reformim dhe për një fuqizim të fuqisë së tyre, e Kosova të mos ketë institucione, është vërtetë dëmi më i madh. Mirëpo ajo që është më interesante, si duket edhe qytetarët janë mësuar që ta pranojnë realitetin e hidhur që Kosova të qeveriset në heshtje. Nuk qeveriset shteti në heshtje e në pritje, duhet dinamikë, duhet vërtet një funksionim, duhet një partneritet. Në fund të fundit Kosova është e të gjithëve, nuk është vetëm e pozitës dhe opozitës. Por ky është realiteti që dëshmon që në Kosovë nuk ka përgjegjësi qoftë institucionale, qoftë individuale dhe këtë po e paguan qytetari. Por këtë do ta paguajnë në të ardhmen edhe gjeneratat që po vijnë pas, sepse është një kosto oportune që do të reflektojë në të ardhmen, sepse tani ndoshta nuk duket”, deklaroi Gërxhaliu.

Paketa e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024–2027 kap vlerën e 6 miliardë eurove.

Nga kjo shumë, Kosovës i janë ndarë rreth 882 milionë euro, prej të cilave 253 milionë euro janë grante, ndërsa 629 milionë euro kredi.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy