Lumir Abdixhiku pritet të njoftohet zyrtarisht për verifikimin e rreth 150 nënshkrimeve që kërkojnë shkarkimin e tij nga drejtimi i LDK-së. Më pas, ai, “sa më shpejt” do ta thërrasë Kuvendin zgjedhor të partisë ku pritet të testohet besimi brendapartiak ndaj tij. Sekretari i kësaj partie, Ilir Ferati tha se “nuk ka arsye” që Kuvendi të shtyhet.
Një javë pasi u dorëzuan, sot janë verifikuar nënshkrimet e rreth 150 nënshkrimeve të delegatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që kërkojnë shkarkimin e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ilir Ferati, tha sot se “ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve”.
Tash, ai tha se pritet të njoftohet kryetari, të cilit do t’i duhet t’i ftojë delegatët në një Kuvend të jashtëzakonshëm të LDK-së, ku do të testohet besimi brendapartiak ndaj tij.
“Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve. Tash po presim përgatitjen e pjesëve të tjera të cilat janë teknike, por si sekretariat jemi duke punuar në këtë drejtim në mënyrë që me pasë të mundshme që sa më shpejt t’i japim drejtim demokratik partisë. Në momentin që jemi të gatshëm e njoftojmë kryetarin dhe pastaj ai në një afat sa më të shpejtë ta bëjë ftesën për Kuvendin”, tha Ferati për RTV Dukagjinin.
Ai tha se “nuk ka arsye për shtyrje të Kuvendit” dhe se edhe kryetari i partisë “është i interesuar” që të kryhet ky proces, që më pas të krijohet, siç tha ai, “njëfarë paqe brenda njerëzve të LDK-së”.
Para një jave në LDK nisi zyrtarisht nisma e brendshme për shkarkimin e kryetarit.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj, dhe kryetari i degës së dytë të kësaj partie në Prishtinë, Florian Dushi i kanë dorëzuar nënshkrimet e grumbulluara për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë.
Po atë ditë, Abdixhiku njoftoi vetë përmes një video-mesazhi në Facebook ishin “deponuar 148 nënshkrime të delegatëve” dhe se nisma bënte thirrje për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë dhe për shkarkimin e tij nga pozita e kryetarit.
Zemaj, ndërkaq, i ka thënë Gazetës Express se janë “151 nënshkrime”, dhe jo 148 sa tha Abdixhiku.
Abdixhiku njoftoi javën e kaluar edhe për pezullimin e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja, për shkak të kësaj nisme për shkarkimin e tij.
“Në këtë pikë, më duhet po ashtu t’i njoftoj qytetarët e vendit tim se për shkak të kësaj nisme, detyrohem t’i ndërpres të gjitha angazhimet për formimin e institucioneve të Republikës që i prisni me të drejtë tash e sa kohë”, ka thënë ai.
Në këto rrethana, Abdixhiku ka thënë se “s’do të ishte as serioze dhe as e përgjegjshme” që të vazhdonte të negocionte në emër të LDK-së, ndërkohë që mandati i tij për të udhëhequr me partinë “është vënë në diskutim nga brenda shtëpisë”.
Ai ka thënë se nuk dëshiron të besojë se bisedimet me LVV-në ishin arsyeja e “ngutisë për Kuvend të paprecedent”.
“Fatkeqësisht, qytetarët e Kosovës do të pësojnë më së shumti në këtë drejtim. LDK, bashkë me ta”, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar se nisma për shkarkimin e tij “vjen në një moment shumë kritik” për këtë parti dhe për vendin.
Abdixhiku është shprehur se nuk ka frikë “nga vota e vendimi i delegatëve”, por se do të preferonte “më shumë qetësi e më shumë mundësi për punë”.
Ky proces i brendshëm, sipas tij mund ta dëmtojë LDK-në “pariparueshëm nga brenda dhe ta lë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”.
Ai ka folur për “apetite” të kundërshtarëve të tij brenda partisë për “ta marrë karrigen e kryetarit”.
Sipas statutit të LDK-së, Kuvendi i Jashtëzakonshëm duhet të mbahet 60 ditë nga dita e dorëzimit të nënshkrimeve.
Kuvendi i LDK-së i ka 354 delegatë, plus kryetarin./Gazeta Express

