Ferati: Abdixhiku duhet të vazhdojë të jetë kryetar i LDK-së deri në kuvendin e radhës

by Nexhat

Sekretari i Lidhjes Demokratike te Kosoves -LDK=, Ilir Ferati ka deklaruar se Lumir Abdixhiku duhet të vazhdojë të udhëheqë partinë deri në mbajtjen e kuvendit të rregullt, duke thënë se LDK-ja nuk mund të lidhet me individë të caktuar.

Ferati ka thënë se përjashtim bën vetëm figura e presidentit historik Ibrahim Rugova, ndërsa të tjerët, sipas tij, janë pjesë e proceseve që ndryshojnë varësisht nga zhvillimet politike.

banner

“LDK nuk është parti që mundesh me e targetu në bazë të individëve. Është vetëm presidenti Ibrahim Rugova ai që mund të jetë një pikë referimi. Të tjerët jemi variabla që ndryshojmë kohë pas kohe, varësisht nga zhvillimet politike”, ka deklaruar Ferati ne “Debat Plus” te TV Dukagjinit.

Ai ka vlerësuar se kontributi i Abdixhikut në drejtimin e LDK-së gjatë viteve të fundit është arsye që ai të vazhdojë mandatin deri në kuvendin e rregullt.

“Pjesa e kontributit dhe avancimit të LDK-së, pjesa e kontributit të tij për pesë-gjashtë vjet si kryetar, e bën meritor që të vazhdojë deri në kuvendin e rregullt të LDK-së”, ka thënë Ferati.

Lidhur me kërkesën për mbajtjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm të LDK-së, Ferati ka bërë të ditur se janë dorëzuar nënshkrimet dhe ka përfunduar procesi i verifikimit, por ende nuk i është dorëzuar kryetarit raporti zyrtar.

“Është një procedurë e brendshme. Ka përfunduar verifikimi i nënshkrimeve. Ne si sekretariat ende nuk e kemi njoftuar me raport zyrtar kryetarin se jemi teknikisht të gatshëm për thirrjen e kuvendit të LDK-së”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, pas përfundimit të procedurave të brendshme dhe dorëzimit të raportit zyrtar, pritet që të thirret kuvendi i jashtëzakonshëm i partisë.

Ferati ka sqaruar se procesi i verifikimit nuk lidhet me vërtetësinë e nënshkrimeve, por me konfirmimin se delegatët janë të vetëdijshëm për kërkesën që kanë nënshkruar.

“Kjo thirrje na është dorëzuar nga Armend Zemaj dhe Florian Dushi, për thirrjen e kuvendit të jashtëzakonshëm të LDK-së për shkarkimin e kryetarit. Obligimi ligjor dhe statutar është që delegatët të jenë të vetëdijshëm se kanë nënshkruar një thirrje për kuvend ku kërkohet shkarkimi i kryetarit”, ka thënë Ferati

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy