Atmosfera e futbollit evropian ka përfshirë Malishevën, teksa FC Malisheva është vetëm një hap larg një tjetër momenti historik në arenën ndërkombëtare.
Para përballjes vendimtare me Hibernian FC të Skocisë në fazën play-off të UEFA Conference League, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka bërë thirrje për mobilizim të përgjithshëm, duke kërkuar mbështetje masive për skuadrën.
Përmes një postimi publik, Kastrati ftoi sa më shumë tifozë që të mbështesin ekipin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ku takimi zhvillohet sot, me fillim nga ora 16:30.
“FC Malisheva sot përballet me klubin e njohur Hibernian FC nga Skocia, në ndeshjen e play-offit të UEFA Conference League. Pas rrugëtimit historik deri këtu, sot kemi një tjetër mundësi për të treguar forcën, karakterin dhe krenarinë e Malishevës në arenën evropiane”, ka shkruar Kastrati
Ai theksoi se kjo ndeshje është një rast i veçantë për të dëshmuar unitetin dhe përkrahjen ndaj klubit, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Malishevës, tifozëve të skuadrës dhe futbolldashësve nga mbarë Kosova që të mbushin tribunat.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Malishevës, tifozët tanë dhe dashamirët e futbollit nga mbarë Kosova që të jenë pranë ekipit tonë në këtë sfidë të madhe evropiane”, theksoi ai.
FC Malisheva synon të vazhdojë ëndrrën e saj evropiane me një rezultat pozitiv ndaj skuadrës skoceze, në një prej ndeshjeve më të rëndësishme në historinë e klubit.
Përkrahja e tifozëve pritet të jetë një nga armët më të forta të ekipit në përpjekjen për të bërë një tjetër hap të madh në skenën evropiane

