Shkruan: Ndue Ukaj
Kosova, tash e gati dy vite është bërë gazi i botës, si një vend ku ka pllakosë mjerimi politik, me të gjitha të zezat që sjell ai: tipare anarkie, plogështi, shkretim të jetës, tharje të idealeve, izolim, rrëmujë shpirtërore, dhe një urrejtje, fytyra e së cilës është shumë e shëmtuar.
Në të vërtetë, stërkeqja e vendit tonë, ka filluar që kur, nën flamurin e demokracisë, kanë ngadhënjyer idetë radikale të majta, të ardhura përmes një agjende të inxhinieruar, që predikon me terma religjiozë, për lumturi, drejtësi, barazi e parajsë në tokë. Kështu kanë vepruar të gjithë komunistët përgjatë historisë: kanë premtuar parajsë, në emër të së cilës ide kanë joshë mijëra njerëz, duke formuar ushtrinë e të pakënaqurve që kërkojnë lumturi, dhe në fund, të gjithë kanë përfunduar në ferr.
Prijësi intelektual, Ibrahim Rugova, kështu thoshte për komunizmin:
“Komunizmi nuk i krijoi vend konceptit të kombit, i cili ishte ndjerë si negacion i historisë. Ai ishte i mbështetur mbi një ide fiktive, primitive të barazisë, që e mohon historinë. Shefat si – Tito, Mao, Hoxha, Lenini…-pastaj fabrikuan historinë e vet. Prandaj njëri nga qëllimet e para të komunizmit ishte që të qëllonte intelektualët.”
Kosova sotme politike i ngjan një pacienti të sëmurë rëndë me ide komuniste, që refuzon të trajtohet, një pacienti që i ka mbyllë dyert e dritaret, dhe ngulmon të jetojë në tym e në smog mendor. Ka aq shumë tym e smog mendor, plogështi kolektive dhe një gjendje asfiksi mendore. Prandaj, shumë rrallë ndodh që njeriu të dëgjojë a të lexojë një ide të kthjellët politike. Debatet për temat e mira, janë abortuar, dhe në vend të dialogut, zotëron monologu ose një e folme publike që i ngjan gjuhës së bebeve.
Refuzimi i gazit amerikan – temë aktuale e këtyre ditëve – nuk është refuzim dosido, por një barrikadim kundër perëndimit, dhe nuk ka lidhje me asnjë interes tjetër real të Kosovës, prandaj, nuk duhet të trajtohet si një refuzim i rastësishëm, por si pjellë e një mendësie duambabiste, që kombit shqiptar i ka shkaktuar shumë tragjedi në histori, duke e lënë të prapambetur e të pazhvilluar.
Pra, ky refuzim si i tillë është refuzim pastërtisht ideologjik, i thadruar në mendësinë e atyre shqiptarëve që kanë zell për duambabizmin, por edhe lëvizjet e radikale të majta, që për emërues të përbashkët e kanë urrejtjen ndaj perëndimit.
Mendësinë duambabiste, komunistët shqiptarë, andej e këndej kufirit, e kanë shfrytëzuar për të fabrikuar një njeri të ri, të përdorur e të keqpërdorur, lehtësisht, për t’i mbrojtur do ide të përdala proletare, kudo, nëpër skaje të botës, në emër të cilave e kanë lënë vendin e tyre në mjerim të thellë, duke kryer njëherësh krime e padrejtësi të mëdha.
Çfarë kanë përfituar shqiptarët prej këtyre ideologjive, pos mjerim, izolim e tharje të jetës?
Kurse, në anën tjetër – është fakt i pamohueshëm – siç nuk mund të mohohet ky diell korriku, se Kosova zhvillimin më të madh historik e ka njohur pikërisht në kohën kur ka ecë krahë për krahë me perëndimin. Në këtë kohë, ajo ka realizuar idealin e kamotshëm për liri, pavarësi, ka konsoliduar shtetin dhe ka bërë një përparim të gjithmbarshëm, që nuk e ka njohur kjo tokë e lanë shekuj e shekuj djerrë. Pikërisht këtë transformim e atakojnë këta që sot populli i Kosovës i ka përzgjedhur për të luajtur për ta, duke refuzuar Amerikën, që domethënë, duke treguar simpati të hapur për lindjen. E simpatia e shqiptarëve për lindjen, përveç ideologjike, ka tharm duambabist.
Meqë jemi ende në atmosferën e futbollit, nëse i shpjegojmë problemet e klasës sonë përfaqësuese me gjuhën e futbollit, atëherë, këta që kanë zbritur në lojën e politikës dhe luajnë në emër të Kosovës, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk meritojnë të kualifikohen as për ndonjë ligë të ndonjë mëhalle të vogël politike – le më për të përfaqësojnë një vend, që ka nevojë të fitojë, të tregojë vullnet për mësim, disiplinë, strategji, frymë bashkëpunimi, etj.
Këtij ekipi i mungojnë të gjitha cilësitë që duhet t’i ketë një ekip për të fituar, dhe më tragjikja, në fushën e lojës, ky ekip, përveçse tregon që nuk ka cilësi, demonstron arrogancë dhe përfaqëson flamurin e injorancës brutale politike.
Në fakt, ajo që ne e kemi përzgjedhur ta quajmë klasë politike, ka një mospërkim të frikshëm e dramatik me politikën në kuptimin si përkufizohet ky aktivitet i moçëm njerëzor në vendet e qytetëruara e normale.
Politika, këtu, te ne, nuk merret as me mbarështimin e punëve të qytetit e as me Res Publican, por, fatkeqësisht, merret me disa ide triviale, që në kushte normale është marre të dalin prej dhomave me muhabete e tym duhani, të pasdarkeve të vona, ku nuk ka as kthjelltësi e as ndonjë rregull se kush flet e çka thotë.
Pra, ajo çfarë këtu përkufizohet politikë e demokraci, nuk përkon me atë çka bota e qytetëruar nënkupton me politikë e demokraci.
Demokracisë, përditë i këputen ato pak filiza që i kanë mbetë e toka ku ajo duhet të zhvillohet është mbuluar prej një tymit të zi.
Kurse, politika, prej një aktiviteti që ka për detyrë të merret me mbarështimin e punëve të qytetit e të përbashkëtës, është kthyer në aktivitet ku hesapet për të rehatuar të pasmet e dikujt janë thelbi i punës e idealeve – e jo idetë për qytetin e shtetin.
Prandaj, në vendin tonë, njeriun normal e merr malli të dëgjojë një mendim të shëndoshë javë e muaj e ndoshta vite. Përkundrazi, ai ushqehet me dezinformata e mashtrime të përditshme, të cilat, më së shumti i promovon makineria e propagandës shtetërore, që flet për lumturi edeni.
Dikur, jo shumë larg me kohën tonë, ne kishim një klasë politike, që vinte prej proveniencës intelektuale e krijuese. Ajo kishte uri për të mësuar e për të përvetësuar të mirat e demokracisë, kurse tani kemi një kastë politike që nuk ka as uri dije e as për demokraci.
Pikërisht kjo është arsyeja pse brenda Kosovës është ndërtuar një mur i madh, jo me gurë, armaturë e beton, si ai muri i dikurshëm i Berlinit, që ndante një popull dhe dy botë, por një mur prej gjuhe me gjemba.
Pushteti ka krijuar një ushtri njerëzish të bindur e të armatosur me urrejtje, të mbarsur me idenë se ata, pra të tjerët, nuk janë si ne.
E kush janë ata të tjerët?
Dihet, ata janë opozita, mediat, Serbia, dreqi e i biri.
Pra, muret nuk ndërtohet vetëm kur ka luftëra, muret më të tmerrshme janë ata që formohen prej ideve të këqija, ku njerëzia thyejnë hundë e buzë.
E në vendin tonë më shumë se çdo gjë, në fushën e politikës, ndërtohen mure, me ide të këqija, përditë, kudo dhe me afsh.
Kjo është arsyeja pse është shkatërruar motori që e mirëmban në jetë demokracinë: dialogu.
Prandaj, të presësh zhvillime demokratike, kulturë perëndimore e prosperitet të gjithmbarshëm prej mendjeve kaq të cekëta e njerëzve pa cilësi është si të nisesh të vjelësh rrush në një shkurre.
Këta që sot janë përfaqësues të Kosovës në politikë, janë do lojtarë që nuk kanë as talenti, as cilësi, as uri për të mësuar.
Duke jetuar në dëlirin e madhështisë që u krijon aureola e pushtetit, siç ka thënë shkrimtari Gabriel Garcia Marquez, njerëzit e tillë, sa më që kanë pushtet, aq më të vështirë e kuptojnë se kush i gënjen dhe kush ua thotë të vërtetën. Ky shkrimtar, na kujton se një person me shumë pushtet, është i rrethuar me interesa dhe njerëz që kanë si qëllim final ta izolojnë atë nga realiteti.

