BE miraton paketën e 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, goditen bankat, energjia dhe industria ushtarake

by Nexhat

Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi sot paketën e 21-të të masave kufizuese ndaj Rusisë, duke zgjeruar ndjeshëm sanksionet ekonomike kundër Moskës.

Sipas njoftimit të Këshillit të BE-së, paketa e re përfshin masa të ashpra ekonomike që synojnë sektorët me ndikimin më të madh në ekonominë ruse dhe në aftësinë e saj për të financuar luftën kundër Ukrainës.

banner

Lista e re e sanksioneve përfshin gjithashtu numrin më të madh të personave dhe subjekteve të sanksionuara gjatë katër viteve të fundit: 218 në total, nga të cilët 48 individë dhe 170 subjekte juridike.

BE-ja thekson se paketa e re vjen si përgjigje ndaj sulmeve të fundit “të qëllimshme dhe brutale” të Rusisë ndaj infrastrukturës civile, përfshirë objektet energjetike, rrjetet e ujësjellësit, institucionet shëndetësore, si edhe vendet kulturore e fetare, të cilat kanë shkaktuar pasoja të rënda për popullsinë civile.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian rithekson vendosmërinë për të rritur presionin ndaj Rusisë, me synimin për t’i dhënë fund luftës dhe për ta detyruar Moskën të angazhohet në negociata serioze për një paqe të drejtë dhe afatgjatë.

“Rusia do të ulet në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës së saj të paligjshme dhe do të ndalojë vrasjen e civilëve vetëm nëse detyrohet ta bëjë këtë. Sanksionet tona e rrisin këtë presion”, deklaroi Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.

Çfarë përfshin paketa e 21-të e sanksioneve

Sektori financiar

Në sektorin financiar, BE-ja vendos ngrirjen e aseteve të 94 bankave dhe institucioneve të mëdha financiare ruse, si edhe të një zyrtari të lartë të sistemit bankar rus.

Gjithashtu zgjerohet ndalimi i transaksioneve me 33 institucione të tjera financiare ruse;
vendosen kufizime ndaj një banke në Kirgistan të lidhur me sistemin rus të pagesave ndërbankare SPFS; sanksionohen edhe tre banka të vendeve të treta që akuzohen për ndihmën në shmangien e sanksioneve.

Për herë të parë, BE-ja vendos masa edhe ndaj 14 platformave të kriptomonedhave me seli jashtë Unionit dhe krijon bazën ligjore për ndalimin e plotë të transaksioneve me ofrues të tillë që përdoren për të anashkaluar sanksionet.

Energjia

Në sektorin e energjisë, BE-ja zgjat deri më 15 korrik 2027 pezullimin e mekanizmit automatik të rishikimit të tavanit të çmimit të naftës ruse, i cili mbetet në 41,10 dollarë për fuçi, duke argumentuar se tregjet ndërkombëtare vazhdojnë të ndikohen nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit.

Njëkohësisht listës së sanksioneve i shtohen edhe 41 anije cisternë, duke e çuar në 673 numrin e përgjithshëm të anijeve të të ashtuquajturës “flotë në hije”, vendosen sanksione ndaj tetë kompanive dhe një individi të përfshirë në operimin e kësaj flote, në shënjestër janë edhe 18 kompani dhe një person fizik që veprojnë në sektorin e naftës, përfshirë tre rafineri ruse, një rafineri të madhe në Bjellorusi dhe kompani tregtare të naftës që dyshohet se shmangin sanksionet evropiane.

Paketa krijon gjithashtu bazën ligjore për ndalimin e transaksioneve me rafineritë në vendet e treta që përpunojnë naftë bruto ruse.

Gazi natyror i lëngshëm (LNG)

Sa i përket LNG-së, Këshilli vendos detyrimin që kompanitë evropiane të raportojnë çdo shitje të anijeve cisternë për transportin e gazit natyror të lëngshëm. Kjo hap rrugën për kufizime edhe më të forta ose ndalim të plotë të shitjes së këtyre anijeve ndaj individëve apo kompanive ruse.

Po ashtu, vendosen detyrime kontraktuale për shitësit evropianë, me qëllim që anijet të mos rishiten në Rusi ose të mos përdoren në interes të saj.

Sipas zyrtarëve evropianë, objektivi është të parandalohet krijimi i një “flote në hije” për LNG-në, e ngjashme me atë që Rusia përdor tashmë për eksportet e naftës.

Një zyrtar evropian bëri të ditur se 27 vendet anëtare ranë dakord edhe për një përjashtim kalimtar njëvjeçar, i cili u lejon kompanive evropiane, përfshirë kompanitë greke të transportit detar, të vazhdojnë transportin e LNG-së ruse drejt vendeve të treta, por vetëm për kontratat e nënshkruara para 24 shkurtit 2022 dhe pa tejkaluar sasitë e vitit 2025. Ky përjashtim do të rishikohet çdo vit.

Nafta dhe rafineritë

Paketa synon drejtpërdrejt sektorin rus të naftës dhe rafineritë në Rusi e Bjellorusi, ndërsa krijon bazën ligjore për ndalimin e transaksioneve me rafineritë në vendet e treta që përpunojnë naftë bruto ruse.

Gjithashtu vendosen sanksione ndaj kompanive të tregtimit të naftës që akuzohen për shmangien e kufizimeve evropiane.

Industria ushtarake

BE-ja vendos sanksione ndaj 56 personave dhe subjekteve të reja të lidhura me kompleksin ushtarako-industrial rus.

Prej tyre 37 janë të lidhura drejtpërdrejt me prodhimin dhe zinxhirin e furnizimit të dronëve me rreze të gjatë veprimi; 51 kompani të tjera futen në listën e kufizimeve më të rrepta për eksportin e produkteve me përdorim të dyfishtë dhe teknologjive të avancuara.

Në këtë listë përfshihen kompani nga Kina (përfshirë Hong Kongun), India, Kazakistani, Kirgistani, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat akuzohen se ndihmojnë Rusinë të anashkalojë sanksionet.

Tregtia

BE-ja zgjeron ndalimin e eksporteve drejt Rusisë, duke përfshirë pluhurat e nikelit dhe beriliumit; lidhje speciale metalike; materiale për motorët e avionëve; pajisje dhe sisteme të përdorura në dronë dhe raketa.

Nga ana tjetër, vendosen kufizime të reja për importet që gjenerojnë mbi 60 milionë euro të ardhura për Rusinë, si: xehe bakri, nikeli dhe plumbi, zink, okside kromi, produkte qelqi, perla artificiale, pjesë këmbimi për automjete.

Paketa zgjeron masa të ngjashme edhe ndaj Bjellorusisë, duke harmonizuar në masë të madhe regjimin e sanksioneve me atë të Rusisë.

Vizat

Për herë të parë, Këshilli krijon bazën ligjore për vendosjen e një ndalimi të përgjithshëm të lëshimit të vizave të BE-së për ushtarët aktivë dhe ish-ushtarët e forcave të armatosura ruse, si edhe për anëtarët e grupeve të tjera të armatosura që kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës.

Megjithatë, kjo masë nuk hyn menjëherë në fuqi, pasi data e zbatimit do të vendoset më vonë nga Këshilli.

Propaganda

Sanksione vendosen edhe ndaj tetë personave të akuzuar për përhapjen e propagandës së luftës së Rusisë dhe promovimin e narrativave dezinformuese lidhur me luftën në Ukrainë.

Krimet e luftës

Në listën e sanksioneve shtohet edhe një gjeneral-major rus, i akuzuar për tortura, ekzekutime dhe keqtrajtim të trupave të ushtarëve ukrainas dhe robërve të luftës.

Masa të tjera

Paketa forcon mbrojtjen ligjore të kompanive evropiane ndaj vendimeve të gjykatave ruse që lidhen me zbatimin e sanksioneve të BE-së, duke u dhënë shteteve anëtare dhe gjykatave evropiane mundësinë të mos i njohin ose të mos i zbatojnë këto vendime.

Kujtojmë se Këshilli Evropian, në mbledhjen e 18 qershorit, kishte bërë thirrje për miratimin sa më të shpejtë të paketës së 21-të të sanksioneve, duke ritheksuar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të rrisë presionin ndaj Rusisë përmes kufizimit të të ardhurave nga energjia, goditjes së “flotës në hije” dhe reduktimit të aftësisë së Moskës për të financuar ekonominë e saj të luftës. Paralelisht, BE-ja riafirmoi angazhimin për të vazhduar mbështetjen politike, ekonomike, ushtarake dhe humanitare për Ukrainën. /Panorama

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy