Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Arben Gashi, pas njoftimit për caktimin e datës për mbajtjen e seancës konstituive më 6 gusht, tha se “ky është një moment që kërkon përgjegjësi shtetërore, vizion dhe lidership politik”.
Sipas Gashit, pikërisht në kohë të tilla, LDK duhet ta marrë rolin që i takon “si forcë udhëheqëse e qendrës së djathtë dhe bartëse e kulturës shtetformuese të Kosovës”.
Ai tha se partia e tij s’duhet të ketë vija të kuqe ndaj asnjë partie.
“Për ta ndryshuar Kosovën, së pari duhet ta definojmë qartë LDK-në. Duhet ta dimë se çfarë përfaqësojmë, cilat janë vlerat tona dhe çfarë modeli politik u ofrojmë qytetarëve. Na duhet një LDK moderne, përfaqësuese, meritokratike dhe autentike, e ndërtuar mbi besimin e brendshëm dhe mirëbesimin e qytetarëve. LDK nuk duhet të ndërtojë politikën e saj mbi vija të kuqe apo ekskluzivitete ndaj asnjë partie. Bashkëpunimi duhet të udhëhiqet nga interesi i Kosovës, programi politik, orientimi euroatlantik dhe nevoja për institucione të forta e funksionale. Kosova ka nevojë për një LDK të bashkuar, me identitet të qartë, me vetëbesim dhe me guxim për të udhëhequr. Vetëm një LDK e tillë mund ta rikthejë besimin e qytetarëve dhe ta udhëheqë Kosovën drejt zhvillimit, stabilitetit dhe integrimit”, ka shkruar ai.

