Arsenali shfaqi ambicien për të realizuar një transferim të madh këtë verë, kur u raportua se klubi po shqyrtonte mundësinë për të sjellë Vinicius Juniorin në Londrën Veriore.
Megjithatë, vetëm një ditë më vonë, kjo lëvizje mund të ketë marrë fund para se të fillonte seriozisht.
Jose Mourinho reagoi pothuajse menjëherë pasi u raportua se “Topçinjtë” po kërkonin një mënyrë për të transferuar yllin brazilian.
Vinicius Junior ndodhet në një ngërç me Real Madridin sa i përket rinovimit të kontratës, ndërsa marrëveshja e tij aktuale skadon në fund të sezonit të ardhshëm.
Real Madridi nuk dëshiron të humbasë një nga yjet e tij pa asnjë dëmshpërblim, ndaj mund të ishte i gatshëm të negocionte me Arsenalin, edhe nëse kjo do të nënkuptonte një pagë shumë të lartë për lojtarin.
Megjithatë, duket se interesimi i kampionëve të Premierligës ka rihapur bisedimet për kontratën mes Viniciusit dhe Real Madridit.
Sipas “AS Diario”, Vinicius Junior do të zhvillojë një takim me drejtuesit e Real Madridit për të “kuptuar drejtpërdrejt rolin e tij në këtë projekt të ri” nën drejtimin e Mourinhos.
Një tjetër temë e rëndësishme do të jetë paga e tij dhe nëse ajo pasqyron statusin që ai ka në futbollin botëror.
Raportohet se braziliani kërkon rreth 20 milionë euro neto në sezon, që është 5 milionë euro më shumë se paga aktuale në kontratën e tij, e cila skadon në qershor të vitit 2027.
Raporti shton se synimi i Viniciusit është të rinovojë kontratën me Real Madridin, ndërsa klubi dëshiron të sigurojë që një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm të mbetet në “Bernabeu” për shumë vite.
Tifozët e gjigantit spanjoll shpresojnë që marrëveshja të arrihet, duke pasur parasysh rëndësinë që Viniciusi ka pasur në dy triumfet e fundit të klubit në Ligën e Kampionëve, duke shënuar në finalet e viteve 2022 dhe 2024.
Nga ana tjetër, tifozët e Arsenalit janë entuziazmuar me faktin që klubi lidhet me një nga sulmuesit më të mirë në botë, sidomos pasi Vinicius Junior përfundoi i dyti në garën për “Topin e Artë” të vitit 2024, duke u mposhtur vetëm nga Rodri.
Mikel Arteta synon të përforcojë skuadrën për të mbrojtur titullin e Premierligës dhe për të përmirësuar paraqitjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, ndërsa transferimi i një ylli si Viniciusi do të ishte një hap i madh drejt këtij objektivi.
Megjithëse negociatat mes klubeve mund të dështojnë, shumë tifozë të Arsenalit janë bindur se marrëveshja është pothuajse e përfunduar, vetëm për shkak të formulimit që përdori gazetari David Ornstein në postimin e tij, edhe pse ende duhet të zhvillohen negociata mes Real Madridit dhe Arsenalit përpara se të arrihet një marrëveshje me lojtarin.
Tifozët madje kanë analizuar postimet e mëparshme të Ornsteinit, duke pretenduar se përdorimi i fjalës “exploring” (“po shqyrton”) zakonisht ka paraprirë transferimeve të suksesshme të Arsenalit.
Ata sollën si shembuj transferimet e David Rayas dhe Jorginhos në vitin 2023 nga Brentfordi dhe Chelsea, si edhe transferimin e Gabriel Jesusit nga Manchester City, për të cilin Ornstein kishte raportuar në prill të vitit 2022.
Po ashtu, këtë verë ai përdori të njëjtën formulim edhe për transferimin e Christos Tzolis.
Megjithatë, tifozë të tjerë nxituan të kujtonin raste kur Arsenali nuk arriti të transferonte objektivat e tij, edhe pse Ornstein kishte përdorur të njëjtën fjalë.
Në këtë listë përfshihej tentativa e dështuar për Douglas Luiz, i cili në fund u largua nga Aston Villa për te Juventusi.
Po ashtu u përmendën edhe rastet e Raphinhas, i cili zgjodhi Barcelonën pasi u largua nga Leeds United, si dhe tentativat e pasuksesshme të Arsenalit për Karim Benzeman dhe Angel Di Marian nga Real Madridi në gusht të vitit 2013. Një tjetër shembull ishte edhe dështimi për të transferuar Jamie Vardyn në qershor të vitit 2016, pavarësisht raportimeve të David Ornsteinit.

