Cristiano Ronaldo synon të ndihmojë në rindërtimin e skuadrës së Al-Nassr, me objektivin që klubi të mbrojë titullin e Ligës Profesionale Saudite dhe të fitojë për herë të parë AFC Champions League Elite. Sipas raportimeve, portugezi dëshiron që një kapiten i Premierligës t’i bashkohet ekipit për ta bërë këtë objektiv realitet.
Sipas “365Scores”, Ronaldo ka kërkuar që drejtorit sportiv të klubit t’i jepet autoritet i plotë dhe i pavarur për të zbatuar planin e përforcimeve, në mënyrë që Al-Nassr të jetë edhe më konkurrues sezonin e ardhshëm, pas fitimit të titullit të 11-të kampion në Arabinë Saudite.
Raporti shton se fituesi pesë herë i “Topit të Artë” ka insistuar që të mos ketë ndërhyrje administrative, ndërsa drejtori sportiv Simao dhe drejtori ekzekutiv Semedo punojnë për afrimet gjatë afatit kalimtar të verës.
Në të njëjtin raport thuhet se Ronaldo dëshiron ta sjellë tek Al-Nassr bashkëkombasin e tij dhe kapitenin e Manchester Unitedit, Bruno Fernandes. Madje, portugezi raportohet se është personi që po udhëheq përpjekjet për transferimin e mesfushorit.
Interesimi i Al-Nassr për Fernandes vjen pasi bisedimet për rinovimin e kontratës së tij me Manchester Unitedin besohet se kanë ngecur, duke i dhënë klubit saudit shpresë se mund ta bindë lojtarin të transferohet.
Ronaldo dhe Fernandes nuk kaluan një verë të mirë në Kupën e Botës, pasi Portugalia u eliminua nga Spanja në fazën e 1/8 së finales, përpara se të shihte rivalin iberik të shpallej kampion bote pas fitores ndaj Argjentinës në finale.
Megjithatë, dyshja ka qenë vendimtare për sukseset e Portugalisë në të kaluarën, duke fituar Ligën e Kombeve në vitet 2019 dhe 2025.
Fernandes do të ishte një përforcim i jashtëzakonshëm për Al-Nassr, pasi sezonin e kaluar zhvilloi një edicion fantastik me Manchester Unitedin, duke shënuar nëntë gola dhe regjistruar 21 asistime në Premierligë.
Megjithëse raportimet thonë se rinovimi i kontratës së tij ka ngecur, do të nevojitej një ofertë shumë e madhe nga Al-Nassr për ta bindur Manchester Unitedintë heqë dorë nga kapiteni i tij dhe fituesi pesë herë i çmimit “Sir Matt Busby Player of the Year”.

