Manchester City duket se po përgatitet për një tjetër largim, pasi raportimet e fundit pretendojnë se një nga lojtarët e skuadrës ka paraqitur kërkesë për transferim.
City pritet të kalojë një verë me shumë ndryshime pas largimit të Pep Guardiolës, duke mbyllur një dekadë të mbushur me trofe. Ndërkohë, Bernardo Silva dhe John Stones u larguan si lojtarë të lirë drejt Real Madridit dhe Interit pas përfundimit të kontratave të tyre.
James Trafford gjithashtu u shit nga klubi për herë të dytë, duke u transferuar te Leeds United për 40 milionë funte, marrëveshje që e bëri portierin britanik më të shtrenjtë në histori.
Megjithëse vazhdojnë spekulimet për të ardhmen e Rodrit mes interesimit të madh nga Real Madridi, duket se largimi i radhës nga City është pothuajse i sigurt.
Sipas një raporti ekskluziv të Fabrizio Romanos, anësori brazilian Savinho i ka bërë të ditur klubit se dëshiron të largohet.
Braziliani iu bashkua Cityt në vitin 2024 nga klubi motër Troyes për 30.8 milionë funte dhe realizoi shtatë gola në 84 paraqitje në të gjitha garat.
Megjithatë, Savinho nuk arriti të tregojë vazhdimësi në paraqitjet e tij dhe nuk pati minutat e dëshiruara. Sipas Romanos, ai “dëshiron të luajë më shumë dhe të zhvillohet në karrierën e tij”.
Tottenhami, që ka shpenzuar shumë këtë verë, duket se është favorit për ta transferuar Savinhon, me interesimin e klubit londinez që është raportuar prej kohësh.
Sipas Gary Jacob të The Times, Tottenham po punon për një marrëveshje prej 60 milionë funtesh për 22-vjeçarin, si pjesë e rindërtimit të skuadrës nga Roberto De Zerbi.
Tottenhami ka shpenzuar tashmë 237 milionë funte për emra si Sandro Tonali, Jean Paul van Hecke dhe Mateus Fernandes, por është gati të bëjë një tjetër investim të madh për Savinhon, të cilin kishte tentuar ta transferonte edhe verën e kaluar për një shumë edhe më të lartë.
Savinho është përfshirë në skuadrën e Cityt për turneun parasezonal në Hong Kong dhe Korenë e Jugut, me ekipin e Enzo Marescës që udhëtoi të martën drejt Azisë.
Megjithatë, ai mund të largohet nga turneu më herët për të finalizuar transferimin e tij të mundshëm.
Manchester City pritet të ketë edhe largime të tjera gjatë kësaj vere, por fituesit e FA Cup dhe Carabao Cup kanë arritur të blindojnë dy nga lojtarët e tyre më të rëndësishëm.
Phil Foden, tifoz i përjetshëm i Cityt dhe produkt i akademisë së klubit, ka firmosur një kontratë të re katërvjeçare në “Etihad Stadium”, duke shprehur entuziazmin për të punuar me Enzo Marescën.
Kontrata e re do ta mbajë atë te City deri në vitin 2030 dhe përfshin gjithashtu opsionin për zgjatje edhe me 12 muaj të tjerë.
Po ashtu, City arriti të mbajë në skuadër edhe mbrojtësin Josko Gvardiol, i cili ishte objekt i interesimit të madh nga Bayern Munich dhe Real Madridi, që e konsideronte prioritet për repartin defensiv.
Megjithatë, kroati vendosi t’ia besojë të ardhmen Cityt duke nënshkruar një kontratë të re pesëvjeçare dhe deklaroi se “kam gjithçka që më duhet këtu”.
Gvardiol humbi një pjesë të konsiderueshme të sezonit të kaluar për shkak të një frakture në kockën e kërcirit, të pësuar në ndeshjen ndaj Chelseat në janar.
Pas një operacioni të suksesshëm, ai u rikthye në fund të sezonit dhe më pas përfaqësoi Kroacinë në Kupën e Botës në Amerikën e Veriut.
Manchester City do ta nisë fazën përgatitore me një përballje ndaj Interit këtë të shtunë në Hong Kong, përpara se të luajë kundër ekipit K League All Stars në Seul dhe më pas ndaj Atletico Madridit.

