Arsenali raportohet se ka hequr dorë nga tentativa për transferimin e yllit të Real Madridit, Vinicius Junior, pas disa ditësh spekulimesh intensive për një kalim të mundshëm të brazilianit në Premier League.
Sipas medieve britanike, “Topçinjtë” kishin përgatitur një ofertë të jashtëzakonshme për ta sjellë sulmuesin në Londër, në rast se bisedimet mes Viniciusit dhe Real Madridit për rinovimin e kontratës do të dështonin.
26-vjeçari ende nuk kishte arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës me klubin madrilen, me negociatat që kishin nisur që nga fundi i vitit 2025. Aktualisht, marrëveshja e tij me “Los Blancos” hyn në 12 muajt e fundit.
Për ta larguar Viniciusin nga “Santiago Bernabeu” do të nevojitej një ofertë mbi 120 milionë funte, shifër që Arsenali ishte i gatshëm ta paguante nëse do të kërkohej.
Megjithatë, informacionet e fundit nga kampi i Arsenalit bëjnë të ditur se klubi londinez ka pranuar humbjen në këtë garë. Persona pranë Viniciusit kanë informuar kampionët e Anglisë se dëshira e lojtarit është të qëndrojë në Madrid dhe të nënshkruajë një kontratë të re me vlerë të lartë financiare.
Arsenali do të vazhdojë ta monitorojë situatën, por trajneri Mikel Arteta tashmë po shqyrton alternativa të tjera për repartin ofensiv, ku një prej objektivave afatgjatë mbetet anësori i Athletic Bilbaos, Nico Williams

