Bashkimi Evropian ka porositur se ndihma për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur mbetet një element shumë i rëndësishëm i dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian konfirmoi se më 28 korrik ekspertët forenzikë të Ekipit të Mjekësisë Ligjore të EULEX-it asistuan kolegët e tyre nga Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës në vlerësimin e një lokacioni në Zubin Potok, me qëllim identifikimin e një vendi të mundshëm të një varri të pashënuar me persona të zhdukur.
“EULEX-i nuk zhvillon asnjë lloj hetimi penal, pasi kjo është në kompetencë të autoriteteve të Kosovës”, konfirmoi zëdhënësi i Komisionit Evropian.
Ai theksoi se Komisioni i Përbashkët për Personat e Zhdukur, i themeluar në kuadër të dialogut dhe në bazë të Deklaratës për Personat e Zhdukur të vitit 2023, ekziston për të mbikëqyrur zbatimin e kësaj deklarate, për të ndihmuar në sqarimin e fatit të personave që ende rezultojnë të zhdukur dhe për t’u ofruar familjeve dhe të afërmve të tyre përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre.
“Ndihma për të zbardhur fatin e personave që ende rezultojnë të zhdukur nga konflikti mbetet një element shumë i rëndësishëm i dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha zëdhënësi.
Bashkimi Evropian konfirmoi gjithashtu se ka ofruar financim për Institutin e Mjekësisë Ligjore të Kosovës në mbështetje të këtyre përpjekjeve.

