Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar për një vendim për rregulla të ‘’qarta dhe masa të detyrueshme’’ për organizimin e festivaleve, koncerteve dhe çdo aktivitet tjetër publik me qëllim mbrojtjen e mjedisit.
Pacolli, në postimin e saj ka shkruar se, çdo organizator do të jetë i obliguar të sigurojë menaxhim të duhur të mbeturinave, pastrim të plotë të hapësirave, respektim të kufijve të zhurmës, mbrojtje të ajrit, ujit dhe natyrës.
Postimi:
Mbrojtja e mjedisit është standard që duhet respektuar nga secili organizator i ngjarjeve publike!
Kemi nxjerrë vendim që vendos rregulla të qarta dhe masa të detyrueshme për organizimin e festivaleve, koncerteve dhe çdo aktiviteti tjetër publik, me qëllim mbrojtjen e mjedisit. Nga tani, çdo organizator do të jetë i obliguar të sigurojë menaxhim të duhur të mbeturinave, pastrim të plotë të hapësirave, respektim të kufijve të zhurmës, mbrojtje të ajrit, ujit dhe natyrës.
Për aktivitetet me ndikim më të madh, komunat do të mund të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës. Ky vendim shënon një standard të ri të përgjegjësisë mjedisore në Kosovë. Zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese duhet të ecë krah për krah me mbrojtjen e mjedisit.
Do të jemi të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, sepse një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave që vijnë.

