Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, Kosova përfaqësohet me numër rekord sportistësh

by Nexhat

Kosova do të shënojë pjesëmarrjen më të madhe në historinë e saj në Lojërat Mesdhetare, duke u paraqitur në edicionin Taranto 2026 me një delegacion rekord prej 163 sportistësh, të cilët do të garojnë në 21 disiplina sportive.

Sipas njoftimit të Komitetit Olimpik të Kosovës, delegacioni përbëhet nga 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do ta përfaqësojnë vendin në garat që do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator.

“Kosova do të shënojë pjesëmarrjen më të madhe në historinë e saj në Lojërat Mesdhetare, duke u paraqitur në Taranto 2026 me një delegacion rekord prej 163 sportistësh”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

banner

Një nga risitë më të mëdha të këtij edicioni do të jetë debutimi i Kosovës në katër sporte ekipore. Përfaqësueset e vendit do të garojnë në futboll (meshkujt U21 dhe femrat U19), volejboll (meshkujt dhe femrat), hendboll (meshkujt dhe femrat) si dhe basketboll 3×3 (meshkujt dhe femrat).

“Kjo shënon një hap të rëndësishëm në zgjerimin e pranisë së sportit kosovar në arenën mesdhetare”, thekson Komiteti Olimpik i Kosovës.

Kosova hyn në këtë edicion me synimin për ta pasuruar bilancin e medaljeve. Në dy pjesëmarrjet e mëparshme në Lojërat Mesdhetare, sportistët kosovarë kanë fituar gjithsej 10 medalje – nëntë në xhudo dhe një në boks.

Edicioni i sivjetmë do të ketë rëndësi të veçantë edhe për faktin se, gjatë ceremonisë së mbylljes, flamuri i Lojërave Mesdhetare do t’i dorëzohet zyrtarisht Kosovës, e cila do të jetë nikoqire e edicionit të ardhshëm, Prishtina 2030.

“Gjatë ceremonisë së mbylljes, flamuri i Lojërave Mesdhetare do t’i dorëzohet zyrtarisht Kosovës, e cila do të jetë vendi mikpritës i edicionit të ardhshëm të kësaj ngjarjeje shumë-sportëshe, Prishtina 2030”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy