FC Drita ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e bashkëpunimit me kryetrajnerin Zekirija Ramadani, duke i dhënë fund një periudhe më shumë se dyvjeçare e gjysmë në krye të skuadrës gjilanase.
Përmes një njoftimi, klubi ka shprehur mirënjohjen e thellë për kontributin e Ramadanit, duke e cilësuar bashkëpunimin si të jashtëzakonshëm dhe duke vlerësuar sukseset e arritura gjatë kësaj periudhe.
Drita thekson se titujt kampion dhe paraqitjet e suksesshme në arenën ndërkombëtare janë dëshmi e punës së përbashkët, ndërsa arritjet e realizuara do të mbeten pjesë e historisë së klubit.
Klubi gjilanas e ka falënderuar Ramadanin për gjithçka që ka dhënë për fanellën bardhekaltër, duke lënë të hapur mundësinë që rrugët e tyre të kryqëzohen sërish në të ardhmen.
“Suksese dhe paç fat, Zeko”, përfundon mesazhi i FC Dritës drejtuar trajnerit tashmë të larguar.

