Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka publikuar rezultatet e kontrolleve në kompanitë grumbulluese dhe përpunuese të qumështit në Kosovë, të realizuara në fillim të korrikut.
Sipas AUV-së, janë marrë 495 mostra, ndërsa janë evidentuar 93 mospërputhje, prej të cilave 46 raste lidhen me praninë ose deklarimin e vajit të palmës.
Drejtori ekzekutiv i AUV-së, Bekim Hoxha, ka thënë se kontrollet janë kryer në të gjitha kompanitë e qumështit në vend, ndërsa ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka deklaruar se asnjë produkt në treg nuk është aktualisht 100 për qind në përputhje me standardet.
Këto rezultate i ka kundërshtuar fabrika “Vita” nga Istogu. Drejtori i saj, Artan Spahija, ka thënë se të dhënat e publikuara nuk përputhen me rezultatet e kompanisë dhe ka kërkuar transparencë nga institucionet.

