Nagavci kërkon kompromis për Presidentin: Të pakompromis duhet të jemi veç për sovranitetin

by Nexhat

Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci ka bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së Republikës, duke u shprehur se kjo është përgjegjësi kushtetuese dhe politike e të gjithë deputetëve të Kuvendit.

Sipas saj, qytetarët presin përgjegjësi dhe jo bllokada institucionale, ndërsa rikthimi i vendit në zgjedhje të reja nuk është zgjidhje.

banner

Sipas saj “të pakompromis duhet të jemi vetëm në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial, demokracisë dhe interesit të Republikës së Kosovës. Ndërsa për ndërtimin e institucioneve, kompromisi dhe përgjegjësia janë domosdoshmëri”.

Postimi i saj i plotë:

Zgjedhja e Presidentit/Presidentes së Republikës është përgjegjësi kushtetuese dhe politike e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Qytetarët presin përgjegjësi, jo bllokada institucionale. Dërgimi i vendit sërish në zgjedhje nuk është zgjidhje.

Është koha që, përtej dallimeve politike, të arrihet një dakordim i gjerë për Presidentin ose Presidenten e Republikës, një figurë konsensuale, shprehje e unitetit të popullit, me integritet, vlera dhe kontribute të dëshmuara për shtetin dhe shoqërinë.

Pikërisht për këtë arsye kemi kërkuar kohë shtesë, për t’u dhënë mundësi bisedimeve të prodhojnë një marrëveshje politike në interes të Republikës dhe të qytetarëve.

Siç theksoi edhe Kryeministri Kurti, marrëveshjet nuk ndërtohen pa mirëkuptim, pa koncesione dhe pa kompromis. Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka bërë tashmë koncesionin e saj, duke tërhequr kandidaturën e Glauk Konjufcës. Tani është koha që edhe subjektet e tjera politike t’u japin një shans diskutimeve dhe të kontribuojnë në arritjen e një marrëveshjeje.

Të pakompromis duhet të jemi vetëm në mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial, demokracisë dhe interesit të Republikës së Kosovës. Ndërsa për ndërtimin e institucioneve, kompromisi dhe përgjegjësia janë domosdoshmëri.

Prandaj, për të shmangur zgjedhje të reja të parakohshme e të panevojshme, që do të dëmtonin stabilitetin institucional dhe ekonominë e vendit, duhet t’u japim një shans real diskutimeve politike dhe arritjes së një marrëveshjeje për Presidentin ose Presidenten e Republikës.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy