Ylli brazilian Vinicius Junior ka arritur marrëveshje me Real Madridin për vazhdimin e kontratës, ndërsa njoftimi zyrtar pritet të bëhet deri në fund të kësaj jave.
Sipas gazetarëve të njohur të merkatos, Fabrizio Romano dhe David Ornstein, klubi madrilen dhe futbollisti kanë finalizuar të gjitha detajet e kontratës së re.
Përfaqësuesit e Real Madridit dhe ata të Viniciusit zhvilluan një takim të mërkurën për të përmbyllur negociatat. Edhe pse kushtet financiare nuk janë bërë publike, burime pranë klubit bëjnë të ditur se oferta e re tregon qartë rëndësinë që braziliani ka në projektin sportiv të “Los Blancos”.
Interesim për 26-vjeçarin kishte shfaqur edhe Arsenali, i cili, sipas raportimeve, ishte i gatshëm të bënte një lëvizje ambicioze për transferimin e tij në rast se bisedimet me Real Madridin dështonin, transmeton Klankosova.tv.
Rinovimi i Viniciusit vjen në një verë mjaft aktive për klubin madrilen. Në stolin e skuadrës është rikthyer Jose Mourinho, ndërsa ekipi është përforcuar me transferimet e Marc Cucurella, Bernardo Silva, Ibrahima Konaté, Espi dhe Denzel Dumfries. Po ashtu, klubi ka konfirmuar edhe transferimin e Yan Diomande nga RB Leipzig.
Vinicius iu bashkua Real Madridit në vitin 2018 dhe që atëherë është shndërruar në një nga futbollistët më të rëndësishëm të skuadrës. Në 375 ndeshje me fanellën madrilene, ai ka realizuar 128 gola dhe ka dhuruar 100 asistime.
Me Real Madridin, braziliani ka fituar tre tituj të La Ligës dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve, duke u bërë një prej figurave kryesore të klubit në vitet e fundit

