Moszgjedhjen e sekretarëve të përgjithshëm të ministrive dhe drejtorëve të agjencive dhe institucioneve shtetërore, edhe pas përfundimit të gjysmës së mandatit, opozita e sheh paaftësi të Qeverisë.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila më 25 nëntor të vitit 2022 i ishte drejtuar me një pyetje parlamentare kryeministrit Albin Kurti për këtë çështje, thotë se i njëjti është tallur me të.
Musliu ka përmendur si dështim të qeverisë faktin se Ministria e Punëve të Jashtme pavarësisht vëllimit të madh të punëve vazhdon të keqfunksionojë pa sekretar legjitim.
Kjo mënyrë e qeverisjes, sipas njërës nga deputetëve më të vjetra të Kuvendit, është kancer për administratën shtetërore dhe sipas saj, kjo po bëhet me qëllim të terrorizimit të nëpunësve që nuk janë votues të VV-së.