Bayern Munich po vijon përgatitjet për sezonin e ri 2026/27, ndërsa skuadra pritet të kompletohet në ditët në vijim me rikthimin e tre futbollistëve që kishin marrë pushime të zgjatura pas pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2026.
Harry Kane, Michael Olise dhe Dayot Upamecano janë lojtarët e fundit që ende nuk i janë bashkuar plotësisht skuadrës bavareze, për shkak të angazhimeve të tyre të gjata me kombëtaret përkatëse gjatë Botërorit.
Sipas raportimeve të “Kicker”, të tre futbollistët pritet të rikthehen në qendrën stërvitore të Bayern Munichut në “Säbener Straße” në fund të kësaj jave, ku fillimisht do t’i nënshtrohen testeve dhe kontrolleve fizike.
Megjithatë, Kane, Olise dhe Upamecano nuk pritet të jenë menjëherë pjesë e plotë e stërvitjeve të ekipit. Ata do t’i bashkohen përgatitjeve të plota në fillim të javës së Superkupës së Gjermanisë.
Bayern Munich do të përballet me Borussia Dortmundin më 22 gusht në Superkupën e Gjermanisë, por tre lojtarët pritet të jenë në dispozicion kryesisht si alternativa nga banka rezervë.
Kjo do të thotë se trajneri i Bayern Munichut do të duhet të menaxhojë me kujdes minutat e Kane, Olise dhe Upamecanos, në mënyrë që ata të rikthehen gradualisht në ritmin e konkurrencës pas pushimit të zgjatur.
Rikthimi i tyre në formën optimale do të jetë i rëndësishëm për Bayernin, i cili synon ta nisë sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme

