Rasti i Gllogjanit: Gjykata pranon si provë të re materiale një video të Kreshnik Mehmetajt me armë

by Nexhat

Gjykata Themelore në Pejë ka rihapur gjykimin për vrasjen e trefishtë në Gllogjan, ndërsa në seancën e sotme janë administruar disa prova të reja materiale, përfshirë një videoincizim ku shihet Kreshnik Mehmetaj duke shtënë me armë në një bjeshkë të Deçanit.

Pas administrimit të provave, prokurorja deklaroi se Prokuroria e Shtetit respekton vendimin e gjykatës për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor dhe mirëpret administrimin e çdo prove që mund të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës.

banner

Ajo mohoi pretendimet se Prokuroria ka fshehur prova, duke theksuar se edhe raporti i gëzhojave ka qenë pjesë e shkresave të lëndës që nga fillimi i hetimeve.

“Prokuroria nuk fsheh prova, dhe aq më pak provat që i ka siguruar vetë”, deklaroi prokurorja Gashi.

Sipas saj, gjatë hetimeve janë proceduar mbi 86 persona, janë ekzaminuar më shumë se 40 incizime dhe janë kontrolluar dhjetëra lokacione.

Duke iu referuar videos ku shihet Kreshnik Mehmetaj duke shtënë me armë, prokurorja tha se lokacioni në bjeshkët e Deçanit është një poligon publik ku ndër vite kanë shtënë persona të ndryshëm. Për këtë arsye, sipas saj, gjetja e gëzhojave në atë zonë nuk mund të lidhet automatikisht me ngjarjen kriminale.

Gashi tha gjithashtu se Prokuroria nuk operon me supozime, por me konkluzione të bazuara në ekspertiza, përfshirë ekspertizën shkencore të videoincizimeve, ekspertizën e gëzhojave, municionit të gjetur në shtëpinë e të akuzuarve dhe ekspertizën e fishekut të therur.

Pas këtyre deklarimeve ka nisur edhe dhënia e fjalëve përfundimtare të palëve në procedurë.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Themelore në Pejë vendosi për rihapjen e gjykimit ndaj Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetajt, të akuzuar për vrasjen e trefishtë në Gllogjan. Si arsye për rihapjen ishte përmendur edhe videoincizimi ku shihet Kreshnik Mehmetaj duke shtënë me armë në bjeshkë, për të cilin Prokuroria pretendon se arma e paraqitur në video është arma e përdorur në kryerjen e krimit.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se kanë vepruar në marrëveshje dhe bashkëveprim me njëri-tjetrin, ndërsa motivi i sulmit lidhet me hakmarrjen ndaj shoferit të autobusit, tani të ndjerit Gani Gjokaj.

Sulmi ndodhi në nëntor të vitit 2021, kur autobusi që qarkullonte nga Gjakova drejt Gllogjanit u qëllua me armë zjarri. Si pasojë, mbetën të vrarë shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënës, ndërsa një person tjetër u plagos rëndë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy