Emërime të bordeve të përkohshme të ndërmarrjeve publike, alokime të mjeteve buxhetore, shpronësime, dhënie me qira të tokës publike, emërime të komisioneve për pranimin e zyrtarëve në pozita të larta drejtuese dhe emërime në pozita të larta institucionale.
Këto janë disa nga vendimet që i ka marrë Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Gjatë kësaj periudhe, Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka marrë plot 75 vendime në 11 mbledhje qeveritare.
Përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile vlerësojnë se disa prej vendimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me Ligjin për Qeverinë.
Sipas tyre, një qeveri në detyrë duhet të kufizohet në aktivitetet e domosdoshme dhe në zbatimin e agjendës së planifikuar më herët.
Vendimet që po kontestohen
Qeveria Kurti – në detyrë që nga shpërbërja e Kuvendit të Kosovës, si rezultat i dështimit të tij në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit – ka ndërmarrë procedura për emërimin e individëve në pozita të larta drejtuese edhe pas zgjedhjeve.
Ajo ka emëruar një komision të pranimit për pozitën e sekretarit të përgjithshëm në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe në atë të Ministrisë se Shëndetësisë.
Qeveria në detyrë ka ngritur komisione të ngjashme edhe për poste të tjera, përfshirë atë të drejtorit ekzekutiv për Thesarin e Kosovës.
Ajo ka emëruar Ragmi Dalipin drejtor të përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI).
Përveç emërimeve, Qeveria në detyrë ka marrë edhe vendime që prekin pronën publike.
Ajo ka vendosur për dhënien me qira të rreth 10 hektarëve tokë në komunën e Hanit të Elezit për 15 vjet, për nxjerrjen dhe shfrytëzimin e gurit gëlqeror.
Me kohëzgjatje dhe qëllim të njëjtë, tokë është dhënë me qira edhe në komunën e Ferizajt dhe në atë të Shtimes.
Por, për Gzim Shalën, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), këto vendime bien ndesh me Ligjin për Qeverinë.
Ai tregon për Radion Evropa e Lirë se ligji ndalon inicimin e procedurave të reja për emërime në pozita publike dhe marrjen e vendimeve që nuk janë të domosdoshme – siç është dhënia me qira e pronave.
“Kjo situatë cenon parimet e sundimit të ligjit, sepse kemi të bëjmë me një situatë të qartë, që është e kundërligjshme dhe është kundërkushtetuese, dhe prapë vazhdon”, shprehet Shala.
Liridon Salihi nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria në detyrë mund të emërojë kandidatë në pozita publike vetëm nëse procedurat për plotësimin e këtyre pozitave janë iniciuar në kohën kur Qeveria ka qenë me mandat të plotë.
Radio Evropa e Lirë kërkoi qëndrimin e Qeverisë në detyrë lidhur me pretendimet për tejkalim të kompetencave, por nuk mori ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij teksti.

