Ditët filluan së numëruari mbrapsht.
E gjersa orët e minutat po ecin drejt 16 shtatorit, datës kur do të merret vendimi për katërshen e UÇK-së, njërit prej tyre një pozitë po ia bëjnë gati.
Të paktën Partia Demokratike e Kosovës, për Hashim Thaçin po thonë se duhet të kthehet aty ku mandati iu ndërpre në gjysmë, në zyrën presidenciale.
E dëshira për Thaçin president, kaloi edhe jashtë mureve të Partisë Demokratike të Kosovës.
Se ish-presidenti është i duhuri për shef shteti, një ditë më parë e tha deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj.
Nominimit të këtij të fundit të drejtë po i jep edhe një bashkëpunëtor i ish-udhëheqësit të shtetit.
E nëse pas 23 ditësh, gjykata vendos t’i lirojë nga akuza Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, sipas një avokati, ata mund të kthehen menjëherë në Kosovë.
Kjo për faktin që tashmë vendimi i vjetër u shfuqizua me një aktvendim të ri.
Nga kjo e diel në sheshet e Prishtinës u vendosën edhe flamujt me emblemën e UÇK-së, për siç u tha mbështetjen e krerëve të ushtrisë dhe për pritjen e tyre kur ata të kthehen në atdhe.

