Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesor Eqrem Kryeziut.
Abdixhiku, ka thënë se sot, Kosova e ka humbur një intelektual të shquar, ndërsa Prizreni, një prej personaliteteve që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.
Postimi:
Kosova sot humbi një intelektual të shquar, një veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një prej personaliteteve që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet.
Profesor Eqremi ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i palëkundur i Presidentit Rugova. Për më shumë se dy dekada udhëhoqi Degën e LDK-së në Prizren, shërbeu si nënkryetar i parë i LDK-së, deputet e kryetar i Komunës së Prizrenit në vitet e para e më të vështira të lirisë.
Ishte profesor, intelektual e veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë. LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike.
Në emrin tim dhe të gjithë Lidhjes Demokratike të Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Kryeziu, miqve, bashkëpunëtorëve dhe qytetarëve të Prizrenit.
Profesor Eqrem, faleminderit për gjithë kontributin dhe gjurmën që le pas.
Pusho në paqe!
I përhershëm qoftë kujtimi për ty!

