Wikoff: Pasi të përfundojë prania e KFOR në Urën e Ibrit, BE dhe institucionet në Kosovë të vendosin për hapjen

by Nexhat

Misioni i NATO-s në Kosovë nuk ka mandat për të vendosur nëse ura kryesore mbi lumin Ibër – që lidh Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare, dhe atë të Veriut të banuar me shumicë serbe – duhet të hapet plotësisht, tha të martën admirali amerikan i aleancës, George Wikoff.

Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, tha se për këtë duhet të vendosë vetë Kosova dhe Bashkimi Evropian (BE), pasi KFOR-i ta përfundojë praninë e tij të përhershme në urë.

banner

“Vendimet lidhur me praninë e KFOR-it në urën e Mitrovicës bazohen në vlerësimin që ne ia bëjmë gjendjes së sigurisë”, tha ai, sipas një komunikate të KFOR-it.

KFOR-i e përsëriti në komunikatë se është duke zhvilluar një proces për kufizimin e pranisë së trupave të saj mbi urën, e cila është e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.

Vendimi i misionit paqeruajtës për kufizimin e pranisë dhe kalimin e përgjegjësive mbi urë tek Policia e Kosovës është kundërshtuar nga Serbia.

Ura mbi Ibër ishte bllokuar pas luftës së vitit 1999 dhe, ndër vite, ka qenë vatër e përplasjeve etnike.

Për këtë arsye, që atëherë misioni paqeruajtës e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën.

Tani, NATO-ja thotë se tërheqja graduale e trupave nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pranisë të KFOR-it, pas përmirësimit të gjendjes së sigurisë në vend, thuhet në njoftimin e KFOR-it të martën.

KFOR-i shtoi se do të vazhdojë ta vlerësojë rregullisht gjendjen në terren dhe të ruajë një pozicionim të hartuar për të kontribuar në sigurinë e qëndrueshme për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.

Ai theksoi se personeli i saj do të vazhdojë të jetë i pranishëm në zonat përreth urës.

Ndërkohë, deklaratat e Wikoffit vijnë disa ditë pasi dështoi një takim i planifikuar mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe komandantit të KFOR-it, Ozkan Ulutash.

Kurti e paralajmëroi takimin me komandantin Ulutash për të shtunën e kaluar. Por, më vonë atë ditë, KFOR-i njoftoi se “për shkak të rrethanave të paparashikuara”, takimi mes tyre nuk u zhvillua.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht viteve të fundit që ura të hapet plotësisht dhe Kurti tha ditë më parë se ishte “absurde” që ura kryesore mbi Ibër vazhdon të jetë e mbyllur.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy