Ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, ka komentuar rastin e Fatmir Shehollit, i akuzuar për spiunazh, dhe vizitën e tij në zyrën e kryeministrit.
Sipas tij, në kohën e vizitës, institucionet nuk kanë pasur kapacitetet e nevojshme për ta verifikuar personin para se të lejohej hyrja e tij në zyrën e kryeministrit.
“Lidhur me vizitën aty, mendoj që nuk i kanë pasur kapacitetet institucionet me verifikuar atë person, sepse po të ishte verifikuar, nuk do të depërtonte në zyrën e kryeministrit”, ka deklaruar Konjufca para mediave.
Sipas tij, Sheholli kishte qenë pjesë e një delegacioni prej rreth nëntë apo dhjetë personash, të komuniteteve joshumicë në Kosovë, dhe kishte arritur t’i bashkohej delegacionit për të marrë pjesë në vizitë.
Konjufca ka theksuar se fakti që Sheholli tashmë ndodhet në burg, sipas tij, tregon qartë orientimin e Qeverisë.
“Me vetë faktin që tash e keni në burg, ky është tregues i qartë i orientimit të qeverisë sonë”, ka thënë ai.

