Kaosi i kamotshëm me mbeturinat në Prishtinë ka bërë që çështja e menaxhimit të mbeturinave të rikthehet në qendër të diskutimeve.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vizituar të mërkurën ndërmarrjen publike “Pastrimi”, ku është takuar me kryeshefin e saj, Petrit Reçica.
Takimi ka zgjatur rreth një orë, ndërsa një nga kërkesat kryesore të Ramës ishte që “Pastrimi” të ketë përgjegjësi vetëm për kryeqytetin.
Sipas kryetarit të kryeqytetit, komunat e Podujevës, Fushë Kosovës, Obiliqit, Drenasit dhe Lipjanit përfitojnë nga shërbimet e “Pastrimit”, ndërsa Prishtina, sipas tij, mban pjesën më të madhe të barrës financiare.
Në anën tjetër, kryeshefi i KRM “Pastrimi”, Petrit Reçica, ka thënë se ndërmarrja operon në gjashtë komuna dhe u ofron shërbime mbi 400 mijë qytetarëve.
Ai ka theksuar se ndërmarrja nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme as nga niveli qendror.

