Qeveria në detyrë ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar një sërë vendimesh financiare, administrative dhe institucionale.
Në mesin e vendimeve është edhe transferimi i 4 milionë e 333 mijë e 900 eurove për Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar transferimin e 1 milion eurove për Ministrinë e Punëve të Brendshme, për mbulimin e obligimeve që lidhen me shpenzimet operative.
300 mijë euro të tjera janë transferuar për Komunën e Podujevës, me qëllim të mbulimit të obligimeve kontraktuale.
Në total, transferimet e miratuara në këtë mbledhje kapin shumën prej 5 milionë e 633 mijë e 900 eurosh.
Qeveria ka miratuar gjithashtu vendimin për përcaktimin e kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)” Sh.A.
Gjithashtu në këtë mbledhje u aprovua dhënia në shfrytëzim e një parcele kadastrale prej 999 metrash katrorë, në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, për nevojat e Ministrisë së Drejtësisë.
Ndërkohë, Qeveria ka nominuar edhe tre përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.

