Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka konfirmuar se trupi i pajetë i kriminelit të luftës Ratko Mladiq është marrë dhe pritet të mbërrijë në Serbi gjatë orëve të pasdites.
Vuçiq, gjatë vizitës në një familje në Çokë, tha se vlerësimet e BIA-s dhe institucioneve të tjera flasin për dhjetëra mijëra persona që mund të marrin pjesë në ceremoninë e përcjelljes së tij.
Më herët është bërë e ditur se Ratko Mladiq pritet të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake në Serbi. Sipas raportimeve të mediave serbe, varrimi mund të bëhet në varrezat Topçider në Beograd, pranë vajzës së tij, Anës, e cila vrau veten në vitin 1994.
Ratko Mladiq, ish-komandant i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republika Srpskas, u dënua përfundimisht nga gjykata e Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime të tjera të rënda të luftës të kryera gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë, nga viti 1992 deri më 1995.

