Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, me rastin e 27-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ka vlerësuar se institucioni policor është sot një institucion kredibil dhe profesional, por ka kërkuar që zhvillimi dhe modernizimi i tij të vendosen në prioritet të programit qeverisës.
Ramadani ka thënë se Policia e Kosovës nuk duhet të përballet më me mungesa elementare të pajisjeve dhe mjeteve të punës.
“Nuk duhet më asnjë ditë të lihet Policia pa vetura, pa uniforma, pa pajisje teknike, madje pa fotokopje!”, ka shkruar Ramadani
Sipas tij, nevojitet një program i veçantë nacional qeverisës, përmes të cilit do të fuqizoheshin kapacitetet dhe kushtet e punës së Policisë së Kosovës.
Ramadani ka propozuar disa masa që, sipas tij, do të mundësonin avancimin e mëtejshëm të institucionit. Në mesin e tyre janë avancimi dhe modernizimi i njësive të specializuara, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike, si dhe rritja e pagave dhe e buxhetit për Policinë.
Ai ka kërkuar gjithashtu “fuqizimin e njësive intervenuese dhe kontrolluese të masave”, avancimin e kapaciteteve të ekspertizës, përfshirë hetimet financiare, si dhe rinovimin e stafit përmes një sistemi të pensionimit të beneficuar.
Në listën e prioriteteve të tij, Ramadani ka përfshirë edhe sigurimin shëndetësor dhe pakon sociale për pjesëtarët e Policisë, si dhe modernizimin dhe standardizimin e pajisjeve.
“Por, duhet një program qeverisës ku arrihet: avancimi dhe modernizimi i njësive të specializuara, sidomos në Siguri Kibernetike; dyfishimi i pagave, rritja e buxhetit për Policinë; fuqizimi i njësive intervenuese dhe kontrolluese të masave; avancimi në kapacitetet e ekspertizës, përfshirë hetimet financiare; rinimi përmes sistemit të pensionimit të beneficuar; sigurimi shëndetësor dhe pako sociale; si dhe modernizimi e standardizimi i pajisjeve”, ka deklaruar ai

