Derisa data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, por fushata praktikisht ka filluar. SNS ka kandiduar Aleksandar Vuçiqin për kryeministër, radikalët i bashkohen sërish progresistëve të tij, ndërsa studentët përgatiten të garojnë të vetëm në zgjedhje.
Serbia po hyn në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa pushteti po tregon qartë se synon vazhdimësinë edhe pas votimit.
Mandati presidencial i Aleksandar Vuçiqit përfundon vitin e ardhshëm dhe ai nuk mund të kandidojë përsëri për kreun e shtetit. Megjithatë, kjo, me sa duket, nuk nënkupton edhe largimin e tij nga pushteti. Partia Përparimtare Serbe e ka zgjedhur kandidat për kryeministër dhe të parin në listën “Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar”.
Kështu, pas më shumë se një dekade në qendër të vendimmarrjes politike në Serbi, Vuçiq po përgatitet për një rikthim të mundshëm në krye të Qeverisë, post që e mbante para se të bëhej president në vitin 2017.
Vendimi u bë publik në mbledhjen e Këshillit Qendror të SNS-së në Nish, në një atmosferë që tashmë i ngjante një fushate parazgjedhore. Në Teatrin Kombëtar ishin zyrtarët dhe mbështetësit e pushtetit, ndërsa vetëm disa rrugë më tej studentët dhe qytetarët protestonin kundër Vuçiqit.
Dy pamje të Serbisë para zgjedhjeve: pushteti që riorganizon radhët për të ruajtur vazhdimësinë politike dhe një pjesë e shoqërisë që prej më shumë se një viti kërkon ndryshime përmes protestave.
Para bashkëpartiakëve, Vuçiq tha se synon një “fitore bindëse” dhe se Serbia duhet të “çohet përpara”, duke ruajtur paqen dhe stabilitetin, me punë dhe disiplinë.
Radikalët sërish me Vuçiqin, SPS garon veçmas
Ndërkohë, po formohet edhe blloku zgjedhor rreth SNS-së. Partia Radikale Serbe, në të cilën Vuçiq kaloi një pjesë të madhe të karrierës së tij politike para themelimit të SNS-së, i bashkohet listës së progresistëve dhe mbështet kandidaturën e tij për kryeministër.
Për disa befasi, për të tjerët një rikthim i pritshëm te lidhjet e vjetra politike, gati dy dekada pas ndarjes, progresistët dhe radikalët do të gjenden sërish në të njëjtën kolonë zgjedhore.
Partia Socialiste e Serbisë e Ivica Daçiqit, partner shumëvjeçar i SNS-së në pushtet, ka vendosur të garojë me listën e saj. Dalja e veçantë në zgjedhje, megjithatë, nuk përjashton vazhdimin e bashkëpunimit në koalicion pas votimit.
Studentët nga protestat drejt zgjedhjeve
Risia më e madhe e zgjedhjeve të ardhshme mund të jetë lista studentore. Studentët në bllokadë thonë se prej muajsh i kanë gati të 250 kandidatët për deputetë, por emrat, për arsye taktike dhe teknike, do t’i publikojnë vetëm pas shpalljes së zgjedhjeve.
Ata planifikojnë të garojnë të vetëm, si grup qytetarësh dhe pa koalicion me partitë opozitare. Fushata e tyre joformale tashmë po zhvillohet përmes aksioneve “Studenti në çdo fshat” dhe “Studenti telefonon”, si dhe bisedave derë më derë me qytetarët.
Pikërisht studentët e pritën Vuçiqin dhe SNS-në me protestë në Nish. Nën sloganin “Mos eja, nuk je i mirëpritur”, studentët dhe qytetarët tentuan t’i afroheshin Teatrit Kombëtar, por u ndaluan nga kordonët policorë. Protesta më pas vazhdoi nëpër rrugët e qytetit.
Nishi kështu, brenda një dite, tregoi atmosferën politike me të cilën Serbia po hyn në zgjedhje, ndërsa pushteti konsolidon radhët rreth Vuçiqit dhe kandidaturës së tij të re, kundërshtarët e tij po përgatiten që përballjen nga rruga ta zhvendosin në kutitë e votimit.
Zgjedhjet ende nuk janë shpallur, fushata praktikisht po
Partitë opozitare gjithashtu i shohin zgjedhjet si mundësi për ndryshimin e pushtetit, por paralajmërojnë se gara po nis pa kushte të barabarta. Ato rikthejnë çështjet e listës së votuesve, përfaqësimit të pabarabartë në media, presioneve ndaj votuesve dhe përdorimit të burimeve shtetërore për qëllime politike.
Vuçiq paralajmëron se zgjedhjet do t’i shpallë më së voni më 9 ose 10 shtator, ndërsa 25 tetorin e përmend si datë të mundshme të votimit.
Data, pra, ende nuk është zyrtare. Por pas Nishit, kandidaturave, formimit të blloqeve zgjedhore dhe mobilizimit të studentëve, pak gjëra në Serbi duken më si periudhë para fushatës. Gara zgjedhore tashmë ka filluar/RTK

