Presidenti i SHBA-së, Donald Trump pritet që të zhvillojë biseda telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelensky, pasi përfaqësuesit e tij zhvilluan takime me ta gjatë fundjavës në Moskë dhe Kiev.
Trump do të konsultohet me të dërguarit e tij, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, përpara se të telefonojë ditën e sotme Putinin dhe më pas të flasë me Presidentin Volodymyr Zelensky, tha një zyrtar për Kyiv Independent.
Witkoff dhe Kushner udhëtuan në Moskë, ku u takuan me Putin, dhe një ditë më pas në Kiev, ku u pritën nga Zelensky.
Përpjekjet kanë për qëllim avancimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Shtëpia e Bardhë tha se bisedimet në Moskë përfshinin “plane thelbësore për hapat e mëtejshëm”, megjithëse asnjëra palë nuk njoftoi ndonjë përparim.
Në një konferencë për shtyp pas bisedimeve, Zelensky tregoi se shtytja e fundit për paqe nuk do të çonte në përfundimin e luftës së shpejti, ndërsa Kushner u tregoi gazetarëve se SHBA-të shpresonin të ktheheshin në negociatat trepalëshe si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën.

