Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shoqëruar nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka zhvilluar një takim me kryetarin e nënkomisionit të Kongresit Amerikan për Evropën, kongresmenin e Teksasit, Keith Self.
Zyra për shtyp e PD njoftoi sot se gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga presidenti Donald Trump dhe sekretari i shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës.
Berisha e njohu kongresmenin amerikan me situatën ku ndodhet vendi.
Sipas Berishës, kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut.
Po ashtu,thuhet në njoftim u ngrit shqetësimi se qeveria kontrollon plotësisht drejtësinë dhe po e përdor atë si armë politike kundër opozitës me qëllim mbajtjen e pushtetit.
Nga ana e tij, kongresmeni Keith Self e vlerësoi situatën në Ballkan si një problem jashtëzakonisht të madh, sidomos në kontekstin e zhvillimeve globale dhe ndikimit të Rusisë.
Duke pasur një eksperiencë të hershme, pasi ka qenë i angazhuar në kohën e luftës së Bosnjës, Self tregoi interes të shtuar për zhvillimet në rajon.
Berisha e falënderoi veçanërisht kongresmenin për qëndrimet e tij historike kombëtare, përfshirë deklaratën e fortë për dënimin e Ratko Mlladiçit – një iniciativë që Self e mori së bashku me senatoren Jeanne Shaheen dhe senatorin Pressley.
Berisha shprehu mirënjohje edhe për interesin e veçantë që kongresmeni ka treguar për Luginën e Preshevës dhe përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke i dhënë takimit një kontekst të rëndësishëm mbarëkombëtar.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte mënyra e garantimit, sipas opozitës, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri.
Si zgjidhje e vetme për të garantuar një proces demokratik dhe instalimin e një demokracie normale ku pushteti vendoset me votë të lirë, u propozua krijimi i një qeverie teknike, duke marrë si model të suksesshëm rrugën e ndjekur nga Maqedonia e Veriut.
Sipas PD, Kongresmeni Self shprehu interes të madh për të dëgjuar mbi hapat që mund të ndërmerren në vijim, duke konfirmuar se do të vazhdojë ta ndjekë me vëmendje maksimale situatën në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri

