Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, duke mbajtur një minutë heshtjeje në nder të 2,977 jetëve të humbura 25 vite më parë.
Përmes një postimi në Facebook, Ambasada Amerikane në Tiranë bëri të ditur se komuniteti i saj në Shqipëri ndaloi në orën 8:46, në përputhje me momentin kur avioni i parë goditi Kullën Veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
“Njëzet e pesë vjet më parë, në orën 8:46 të mëngjesit në Nju Jork, avioni i parë goditi Kullën Veriore”, thuhet në mesazhin e ambasadës.
Në ceremoninë përkujtimore u nderuan 2,977 personat që humbën jetën në Nju Jork, Virxhinia dhe Pensilvani, mes tyre edhe tre shqiptaro-amerikanë.
E Ngarkuara me Punë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, Nancy VanHorn, theksoi se kujtimi i viktimave mbetet i gjallë edhe pas një çerek shekulli.
“Ne kujtojmë çdo jetë të humbur. Nderojmë punonjësit e shërbimeve të emergjencës të cilët u vunë përballë rrezikut dhe familjet që e kanë mbartur këtë dhimbje prej një çerek shekulli”, u shpreh VanHorn.

